
Ndahet nga jeta në moshën 72-vjeçare, Virxhil Maçolli (Xhili) nga emrat më të njohur të mundjes pogradecare por edhe asaj shqiptare.
Ish mundësi kampion prej vitesh jetonte në SHBA, por së bashku me një tjetër emër të madh të mundjes Xhelil Cibaku merreshin me historikun e mundjes pogradecare.
Pak ditë më parë, të dy së bashku zhvilluan një takim me kryebashkiakun e Pogradecit, Ilir Xhakolli, të cilit i kërkuan mbështetje për të rikthyer sportin e mundjes në qytetin liqenor.
Fjala e Maçollit në këtë takim u prit ngrohtë nga të gjithë, pasi historia e mundjes në Pogradec është e madhe, ashtu siç është e madhe historia e një mundësi si Virxhil Maçolli.
Kur të gjithë prisnin që Maçolli të rikthehej sërish tapetin e mundjes në Pogradec, historia e këtij qyteti humbi një nga figurat e saj më të rëndësishme.
Me gjithë ndihmën e dhënë nga mjekët në QSUT, goditja kardiake ka qenë e fortë saqë mjekët e kanë pasur të pamundur ta mbanin në jetë.
Virxhil Maçolli do të kujtohet për gjithçka që i dha sportit pogradecar të mundjes. Tashmë dikush tjetër duhet të marrë përsipër rikthimin e mundjes edhe për të plotësuar amanetin e ish-kampionit të mundjes pogradecare.
Lini një Përgjigje