
Shqipërisë i duhet të thyejë statistikat, pasi në gjashtë takime kundër Letonisë që nga viti 1992 ka gjashtë barazime në po kaq ndeshje. Barazim 1-1 përfundoi edhe sfida e 10 qershorit të këtij viti e luajtur në Riga.
Starton në “Air Albania” ndeshja "finale" Shqipëri-Letoni e vlefshme për Kualifikueset e Botërorit 2026. Kuqezinjtë e drejtuar nga Silvinjo janë të dënuar për të marrë 3 pikët në këtë takim, pasi çdo rezultat tjetër do t’i nxirrte ata jashtë ëndrrës amerikane 2026.
Për ta bërë këtë Shqipërisë i duhet të thyejë statistikat, pasi në gjashtë takime kundër Letonisë që nga viti 1992 ka gjashtë barazime në po kaq ndeshje. Barazim 1-1 përfundoi edhe sfida e 10 qershorit të këtij viti e luajtur në Riga.
Shtatë gola ka shënuar kombëtarja jonë kundër letonezëve, kundrejt po aq të pësuarve. Pra një ekuilibër total.
Silvinjo është detyruar nga rregullat e UEFA-s që të ketë të gatshëm 23 futbollistë, nga 25 që ka grumbulluar. Kështu, Myrto Uzuni që kishte shfaqur disa shqetësime fizike dhe Maldini Kacurri, janë lënë në tribunë.
FSHF është dënuar nga FIFA me reduktimin e 20 përqind të kapaciteteve të stadiumit për këtë duel, kjo nisur nga ndeshja e fundit luajtur kundër Serbisë në shtëpi më 7 qershor. Tifozët e Kombëtares ofenduan kundërshtarët dhe masa është marrë për ndeshjen e sotme, e cila është e radhës në shtëpi.
Ndryshe nga herët e tjera, interesi për bileta ka qenë më i vakët dhe këtë e tregon fakti se FSHF i nxori ato në shitje dhe fizikisht, teksa shitja e plotë është kryer vetëm disa orë para nisjes së duelit. Tashmë qeveria e futbollit në vend njofton se të gjitha biletat janë të shitura.
Nëse 20 përqindëshi i tribunave të dënuara nuk mbushet me fëmijë apo pjesëtarë nga grupe të caktuara, në stadium do ketë diçka më shumë se 16 mijë tifozë. Kujtojmë se tifogrupi i Kombëtares, 'Tifozat Kuq e Zi' kanë bërë thirrje për bojkot të sfidës, pas përplasjes me FSHF-në për bashkorganizimin e “EURO 2027” për moshat U-21 me Serbinë.
Sipas ‘Transfermarkt’, vlera e të gjithë futbollistëve të Letonisë për këtë takim kap shifrën e 9.15 milionë eurove, më pak se Armando Broja që vlen 12 mln euro në treg, apo Asllanit që vlen 13 mln euro. Në renditjen e UEFA-s, Letonia mban vendin e 137, ndërsa Shqipëria në vendin e 68. 26.2 vjeç është mosha mesatare e Letonisë, kundrejt 27 vjeç për tanët. Shqipëria vlen sot 81 mln euro si ekip.
Pavarësisht formës së dobët në ndeshjet e fundit, kompanitë e huaja të basteve e shohin më të favorizuar Shqipërinë në këtë takim. Përgjithësisht, fitorja e kuqezinjve të drejtuar nga Silvinjo kuotohet me koeficientin 1.35 deri në 1.40, ndërkohë që fitorja e Letonisë ka një koeficient disi të lartë, që arrin deri në 10.5. Barazimi në këtë takim, kuotohet rreth 4.50, megjithatë është fusha e blertë ajo që do të përcaktojë fituesin në këtë takim, që për Shqipërinë duket se është bileta e fundit për të provuar shanset për në Botëror.
Ndeshja do të drejtohet një grup arbitrash nga Polonia, ku kryesor i takimit është Damian Sylvestrzak, i ndihmuar nga Pauel Sokolnicki dhe Adam Karasevish. Në dhomën “VAR”, do të jetë Piotr Lasyk, i ndihmuar nga Pauel Malek. Gjyqtar i katërt i këtij takimi, është Damian Kos.
Grupi K kryesohet nga Anglia me 12 pikë, Serbia në vendin e dytë me 7, dhe kuqezinjtë me 5 pikë në vendin e 3. Letonia mbetet pas nesh me një pikë më pak, ndërsa mbyll renditjen Andorra, që në 5 sfida nuk ka arritur të koleksionojë asnjë rezultat pozitiv.
Lini një Përgjigje