Sport29 Shkurt 2024, 17:03

“Stop! Unë jam shqiptar”, Sokol Kushta tregon si refuzoi të luante si vorio-epirot tek Olimpiakosi: Do thuash që e ke mamanë nga Greqia

Shkruar nga Pamfleti

“Stop! Unë jam shqiptar”, Sokol Kushta tregon si refuzoi

Sokol Kushta ka dhënë një rrëfim shumë interesant në “Soccer Talk Podcast”.

Në një bashkëbisedim me trajnerin e mirënjohur Skënder Gega, është folur për historinë e karrierës së ikonës së futbollit vlonjat.

Kushta tregon më shumë nga koha e tij në Greqi dhe qasjen që grekët bënin karshi lojtarëve shqiptarë, duke i aktivizuar në fushë si Vorio-Epirot, kur nuk quheshin “të huaj”.

Më 1991, kam ikur në Greqi. Nuk kisha lidhje fare me gjuhën greke. U bë një parakontratë me Olimpiakosin.

Në Greqi ishte një miku im, sekretar ambasade. Pritej që të mbarohej kampionati këtu, duhej 4 ndeshje që të mbyllej kampionati, por Flamurtari kishte dalë kampion.

Një ditë, nuk e di si u zgjova dhe i them babait: “Më dërgo me makinë deri në Kakavijë se do të arratisem”. Ka qenë ditë e hënë.

Kishte disa momente të vështira edhe te kufijtë atëherë. Kur shkova, gjej në anën tjetër dy lojtarë të Shqipërisë: “Po ti më thanë mua?” Iu thashë: “Ma dha truri, do iki”. “Mirë më thanë, po kalove trarin, është makina me doktorin e Janinës këtu”.

Kështu hipi në makinë dhe shkoj në Janinë, atje i takova të gjithë, me Foto Strakoshën, ishin 5-6 shqiptarë. Aty ishte streha e parë e shqiptarëve. U bë një ndeshje atje dhe i them Fotos:

Më gjej një palë këpucë që të luaj”. Luajmë një ndeshje kundër ekipit të parë të Janinës që ishte në Kategorinë e Parë.

E mori vesh presidenti i Olimpiakosit dhe më takoi, vazhdimësia pastaj ishte një gabim i imi i madh.

Tek Olimpiakosi më ofruan gjithçka. Por kur e morën vesh që isha nga Vlora, më thanë: “Je homogjen”. Pra jo vorio-epirot, po homogjen.

Iu thashë: “Çfarë është homogjen”. Më thanë: “Po kemi tre rusë në ekip dhe nuk na lejohet një i katërt i huaj, homogjen është sikur e ke mamanë nga Greqia”.

Unë iu thashë: “Jo unë jam shqiptar, STOP”. Pastaj më thanë: “Mirë, do të blejmë si të huaj në dhjetor”.

Aty doli një menaxher, jo i mirëfilltë, por një menaxher që na mblodhi të gjithë ne shqiptarëve ishte Lekbello, Josa, unë dhe rreth 12 lojtarë.

Nga të 12 lojtarët, i vetmi që luajti si shqiptar isha unë, të gjithë të tjerët luajtën si vorio-epirot. Kjo është fakt, 12 lojtarë që ishin ajka e futbollit shqiptar kanë luajtur si vorio-epirotë, vetëm unë si shqiptarë”, tha Kushta.

 

sokol kushta legjenda e futbollit vlonjat