
Me aftësitë e tij teknike, shpejtësinë dhe instinktin e golashënuesit, Gabriel Kulla është një nga talentet më premtuese të futbollit shqiptar dhe një emër për t’u ndjekur në të ardhmen. Gabriel Kulla, një sulmues 17- vjeçar nga Shkodra, ka tërhequr vëmendjen e tifozëve dhe ekspertëve të futbollit me paraqitjet e tij të shkëlqyera me ekipet e moshave të Sasuolos në Itali.
Në ndeshjen e fundit kundër Xhenoas, sulmuesi realizoi tre gola, ndërsa këtë kampionat ka arritur që të shënojë 19 gola në 24 ndeshjet e luajtura deri tani. Ai ka tërhequr vëmendjen e shumë agjentëve dhe klube të mëdha janë duke e ndjekur talentin shqiptar.
Në nivel kombëtar, Kulla ka qenë një aset i çmuar për Shqipërinë U-17. Në 11 ndeshje me Kombëtaren, ai ka shënuar 10 gola, duke përfshirë dy gola në fitoren 2-1 ndaj Sllovenisë U-17 në prill 2024. Sulmuesi 17-vjeçar pritet të luajë në Kampionatin Europian U-17 që do të zhvillohet në Shqipëri, duke nisur nga data 19 maj.
Shqipëria do të përballet me Portugalinë, Gjermaninë dhe Francën në grupin e saj dhe Kulla pritet të jetë sulmuesi kryesor në ekipin e Andrea Tedeskos. Pavarësisht vështirësisë së kundërshtarëve të cilët jo më kot marrin pjesë në fazën finale të Europianit U-17, Shqipërisë U-17 ky turne do t’i vlejë për të gjithë ata lojtarë të cilët do të përballen me bashkëmoshatarët e tyre, të cilët janë një nivel tjetër.
Lini një Përgjigje