Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka arrestuar në flagrancë katër punonjës të Njësisë së Sigurisë Kombëtare në Shkodër, të dyshuar për veprën penale "Shpërdorim detyre".
Sipas njoftimit zyrtar, hetimi nisi pasi u konstatua se shtetasi Hasan Verracaku, ndaj të cilit ishte caktuar masa e sigurisë "Arrest në shtëpi", nuk ndodhej në banesën ku duhej të mbahej nën mbikëqyrje.
Pas veprimeve hetimore të kryera nga specialistët e AMP-së, u arrestuan në flagrancë: Inspektor D. H; Inspektor G. Xh; Inspektor D. H; Punonjësi R. Z, të gjithë me detyrë pranë Trupës Operacionale të Njësisë së Sigurisë Kombëtare Shkodër.
Ndërkohë, sipas AMP-së, shtetasi Hasan Verracaku dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale "Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit", pasi ka shkelur kushtet e masës së sigurisë të caktuar nga gjykata.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për vijimin e hetimeve.
Në reagimin e saj, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore thekson se mbetet e angazhuar në mbrojtjen e ligjit, integritetit institucional dhe forcimin e besimit të qytetarëve te institucionet e sigurisë.
Lini një Përgjigje