TAGS-AT E JAVËS

Sport 1 Shtator 2025, 17:10

“Tradhti” dhe surpriza në Kombëtare/ Bajrami zgjedh Zvicrën, Silvinjo u hap derën talenteve të rinj

Shkruar nga Pamfleti
“Tradhti” dhe surpriza në Kombëtare/ Bajrami zgjedh
Adrian Bajrami

Zbulohet lista e lojtarëve të kombëtares për ndeshjet e shtatorit...

Kombëtarja shqiptare e futbollit nuk do të jetë e njëjtë në muajin shtator. Një nga emrat që pritej të bënte historinë me fanellën kuqezi ka kthyer shpinën.

Adrian Bajrami, mbrojtësi që për vite u rrit në strukturat e FSHF-së, ka vendosur të braktisë Shqipërinë për të luajtur me Zvicrën. FSHF konfirmoi zyrtarisht largimin e tij, duke mbyllur kështu një kapitull të shpresuar për të ardhmen e mbrojtjes shqiptare.

Ky vendim ka detyruar trajnerin Silvinjo të rishikojë urgjentisht listën. Në vend të Bajramit, është thirrur për herë të parë në ekipin A, mbrojtësi Maldini Kacurri. Ai ka qenë pjesë e rregullt e ekipeve kombëtare U-17, U-19 dhe U-21, dhe pritet t’i bashkohet kuqezinjve në kampin stërvitor në Malaga.

Ndërkohë, dëmtimi i mesfushorit Ylber Ramadani ka sjellë një tjetër ndryshim. Në vend të tij është ftuar Enis Çokaj, i cili luan në Greqi me Levadiakosin dhe ka pesë paraqitje me Kombëtaren A. Një rikthim i domosdoshëm për të mbajtur mesfushën e stabilizuar në dy sfidat që pritet të jenë vendimtare për ecurinë e Shqipërisë.

Por ndryshimet nuk ndalen me kaq. Sulmuesi Ernest Muçi është tërhequr për shkak të problemeve fizike në shpinë. Vendin e tij do ta marrë Cristian Shpendi, një tjetër talent i rritur në skuadrat zinxhir të Kombëtares, që thirret për herë të parë nga Silvinjo për të përfaqësuar ngjyrat kuqezi në nivelin më të lartë.

Silvinjo duket i vendosur të injektojë gjak të ri në ekip. Me largimet e papritura dhe dëmtimet që kanë tronditur skuadrën, trajneri brazilian i Shqipërisë përballet me një test të vështirë menaxhimi. Mbetet për t’u parë nëse këto lëvizje do të japin fryt në fushën e lojës.

Lini një Përgjigje