
UEFA ka bërë zyrtare kandidaturat e vendeve të cilat kërkojnë organizimin e Kampionateve Europiane të futbollit në dy edicionet e ardhshme, 2028 dhe 2032. Evenimente ku Turqia është gati të sfidojë emrat më të mëdhenj të kontinentit.
Shteti turk ka paraqitur fillimisht dosjen për edicionin e vitit 2028, ku si kundërshtarë do të ketë Britaninë e Madhe dhe Irlandën. Britanikët kanë paraqitur një kandidaturë në bllok, duke propozuar që ndeshjet të luhen në Angli, Skoci, Uells, Irlandë dhe Irlandën e Veriut, me impiante shumë cilësore në dispozicion.
12 prilli është afati i fundit për vendet e kontinentit që të dorëzonin ofertat e tyre për të pritur ‘EURO 2028’, ku Britania e Madhe dhe Irlanda kanë shprehur zyrtarisht synimin e tyre për të pritur turneun final.
Njoftimi u bë në shtypin britanik dhe gazetarët u tronditën, siç raporton “The Sun”, nga mungesa e disa stadiumeve në listë. Në ofertën e përbashkët, vendet e Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës, kanë zgjedhur 10 arena për listën përfundimtare dhe në to nuk përfshihen “Old Trafford”, “Anfield Road” apo “Emirates Stadium”.
Dy arena janë zgjedhur nga kryeqyteti i Anglisë, Londra, “Wembley” dhe “Tottenham Hotspur Stadium”. Ndeshjet e Irlandës së Veriut do të priten në arenën “Casement Park” në Belfast, e cila do t'i nënshtrohet një rizhvillimi të madh.
Nga Irlanda u zgjodh stadiumi “Aviva Dublin”, nga Skocia “Hampden Park” dhe nga Uellsi Stadiumi “Komunal Cardiff”. Duke u rikthyer në Angli, përveç dy arenave në Londër, në listë përfshihen edhe stadiumet “Etihad Stadium”, “Villa Park”, “St James Park” dhe “Bramley-Moore Dock”, arena që do të ndërtohet dhe që do të jetë shtëpia e re e Evertonit.
Ndërkohë, për atë të vitit 2032, Turqia ka përsëritur kërkesën, duke u vënë këtë herë përballë Italisë, e cila synon prej kohësh që të kthejë një kompeticion të rëndësishëm futbolli në vendin e saj.
UEFA ka marrë dosjet në shqyrtim dhe do të analizojë gjithçka në muajt në vijim, me votimin dhe vendimin që do të dalë nga Komiteti Ekzekutiv i saj në tetorin e këtij viti, kur do të caktohen vendet pritëse të të dy aktiviteteve.
Lini një Përgjigje