
Jo vetëm biletat e stadiumeve, por edhe kostot e transportit publik për tifozët që pritet të ndjekin ndeshjet e Kupës së Botës në Nju Jork kanë pësuar një rritje të konsiderueshme. Sipas raportimit të “New York Times”, drejtori ekzekutiv i transportit publik, Kris Kolluri, ka bërë të ditur se çmimet mund të jenë deri në 12 herë më të larta se zakonisht për një udhëtim rreth 15-minutësh.
Ai ka sqaruar se një biletë vajtje-ardhje nga stacioni Pen në Manhatan drejt stadiumit MetLife do të kushtojë rreth 150 dollarë për person. Në kushte normale, i njëjti itinerar kushton rreth 12.9 dollarë.
Kjo rritje ka shkaktuar pakënaqësi mes tifozëve, të cilët kishin planifikuar të ndjekin nga afër ekipet e tyre kombëtare. Shumë prej tyre e konsiderojnë çmimin të papërballueshëm, veçanërisht duke marrë parasysh kohëzgjatjen e shkurtër të udhëtimit.
Në stadiumin MetLife janë planifikuar të zhvillohen tetë ndeshje të Kupës së Botës, përfshirë edhe finalen më 19 korrik, çka pritet të rrisë ndjeshëm fluksin e udhëtarëve.
Çështja ka marrë edhe dimension politik. Guvernatorja e New Jersey-t, Mikie Sherrill, ka kritikuar FIFA-n, duke deklaruar se organizata nuk ka kontribuar financiarisht për transportin e tifozëve. Sipas saj, nuk është e drejtë që qytetarët e zakonshëm të mbulojnë këto kosto përmes tarifave të rritura.
Nga ana tjetër, drejtori operativ për organizimin e Kupës së Botës në FIFA, Heimo Schirgi, ka reaguar duke e cilësuar të paprecedent vendosjen “arbitrare” të çmimeve të larta dhe kërkesën që FIFA të mbulojë këto shpenzime.
Paralelisht me transportin, edhe çmimet e biletave për ndeshjet kanë arritur nivele shumë të larta, veçanërisht në tregun e zi. Për ndeshjen hapëse mes SHBA-ve dhe Paraguajit, çmimi më i ulët raportohet rreth 1,359 dollarë, ndërsa më i larti arrin deri në 14 mijë dollarë.
Për finalen, çmimet shkojnë deri në 25 mijë dollarë. Vetë FIFA ka nxjerrë në shitje bileta me çmime të larta, ndërsa vetëm një numër i kufizuar tifozësh, anëtarë të federatave përkatëse, mund të sigurojnë bileta me çmim rreth 60 dollarë.
Organizatat e tifozëve në Francë dhe Angli i kanë cilësuar këto çmime si “të çmendura” dhe “astronomike”, duke i konsideruar ato fyese për publikun që dëshiron të ndjekë ndeshjet në stadium.
Lini një Përgjigje