
Vora dhe Vllaznia kanë ndarë pikët në javën e 32-të të “Abissnet Superiore”, në një përballje ku rrjeta u tund, por asnjë gol nuk u akordua për shkak të parregullsive gjatë lojës.
Pjesa e parë u dominua disi nga skuadra vendase. Vora arriti të dërgonte topin në rrjetë me Luis Felipe, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.
Në fraksionin e dytë, Vllaznia u shfaq më kërkuese. Një gol i Çelikoviç u anulua për prekje me dorë, ndërsa në një tjetër rast skuadra shkodrane u ndal nga traversa.
Në minutat e fundit, të dyja ekipet nuk rrezikuan, duke u dukur të kënaqura me barazimin. Ky rezultat mban Vllazninë në vendin e parë të renditjes, të paktën për këtë javë, ndërsa Vora del përkohësisht nga zona e ftohtë dhe pret rezultatet e rivalëve.
Në ndeshjen tjetër të javës së 32-të, Flamurtari ka arritur një fitore të rëndësishme në transfertë, duke mposhtur Egnatian me rezultatin 0-2 në Rrogozhinë.
Takimi u zhbllokua që në minutën e 11-të pas një autogoli të Jaime. Më pas, në minutën e 53-të, Ememe dyfishoi shifrat për skuadrën vlonjate.
Egnatia u detyrua të luante me 10 lojtarë gjatë pjesës së dytë, pasi Xhemajli u ndëshkua me karton të kuq në fundin e pjesës së parë.
Pas kësaj jave, Egnatia mbetet në vendin e tretë me 54 pikë, duke ruajtur pozicion të qendrueshëm në zonën “Final Four”, ndërsa Flamurtari, megjithëse në vendin e fundit me 29 pikë, mban ende gjallë shpresat për mbijetesë.
Lini një Përgjigje