
Vora ka regjistruar një tjetër fitore të rëndësishme në këtë fillim sezoni të Kategorisë Superiore, duke mposhtur me rezultatin 2-1 në transfertë Elbasanin, një nga skuadrat që konsiderohet pretendente për kreun.
Elbasani kaloi i pari në avantazh në minutën e 54-të, pas një përplasjeje të topit në mesfushë. Tsage lëshoi një goditje të fortë që u ndal nga portieri Ruçi, por Qose ndoqi aksionin dhe e shtyu topin në rrjetë, duke ngritur në festë tifozët vendas. Megjithatë, në minutën e 64-të, Vora reagoi fuqishëm, duke shfrytëzuar një gabim në mesfushë të Elbasanit. Kasalla asistoi për Dakën, i cili goditi saktë dhe barazoi rezultatin në 1-1.
Pas barazimit, në stadium u shënuan tensione mes tifozëve, por loja vijoi pa ndërprerje. Në minutën e 86-të, Karrica shënoi golin e fitores për Vorën, pas një aksioni të shpejtë nga krahu i djathtë, duke i dhënë tre pikë të arta skuadrës së tij.
Ndërkohë, Partizani arriti një fitore të ngushtë 0-1 ndaj Flamurtarit në Vlorë, falë një autogoli të Lorenc Trashit në minutën e 63-të, pas një goditjeje të Isgandarli. Takimi u shoqërua me momente tensioni dhe vendime të shumëdiskutuara nga VAR.
Në minutën e 77-të, Urbaez u ndëshkua me të verdhë për faull ndaj Atanaskoskit, duke rritur nervozizmin në fushë. Ndërkohë, mes minutave 84-87, VAR anuloi një gol të Oshafit për prekje me dorë të Maksutit, pas ndërhyrjes së dytë të arbitrit Bylykbashi me sistemin VAR – vetëm pak minuta pasi i ishte anuluar një penallti Flamurtarit.
Lini një Përgjigje