Flakja në rrugë e bashkëpunëtorëve/ Si u prish Armand Duka me të gjithë funksionarët dhe mbështetësit e tij në FSHF, - Aktualitet
Aktualitet30 Prill 2018, 10:29

Flakja në rrugë e bashkëpunëtorëve/ Si u prish Armand Duka me të gjithë funksionarët dhe mbështetësit e tij në FSHF,

Shkruar nga Pamfleti
Flakja në rrugë e bashkëpunëtorëve/ Si u prish Armand

Flakja në rrugë e bashkëpunëtorëve/ Si u prish Armand Duka me të gjithë funksionarët dhe mbështetësit e tij në FSHF, nga Starova e deri te Jupi

Armand Duka ka hyrë në vitin e 17-të të mbretërimit të tij në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit, një jetëgjatësi në krye të institucionit si askush tjetër. Po të ishte gjallë Byroja Politike e Partisë së Punës do ta kishte zili bosin e ri të institucionit qendror të futbollit. Po cfarë e ka mbajtur Dukën kaq gjatë në krye të futbollit? Disa faktorë, padyshim, por kryesorja konjuktura politike, sepse Duka ka ditur t’i përshtatet sistemit, duke e mbajtur mirë me të gjithë.

Financat nuk kanë munguar në futboll, sidomos kur është fjala te skuadra kombëtare, dhe këto para shumë pak kanë shkuar për të mirën e futbollit. Në këtë pikë Duka është përfshirë si me Berishën dhe me Ramën, duke e mbajtur mirë me njërin e mirë me tjetrin, për të zgjatur kështu qëndrimin e tij në krye të futbollit. Dhe para pak javësh mori mandatin e pestë, që do të thotë se Duka do të bëjë 20 vjet në krye të FSHF-së, gati një cerekshekulli.

Bashkëpunëtorët e tij në federatë aktualisht janë kryesisht të rinj. Bashkëpunëtorët e vjetër janë larguar dhe është taktikë e Dukës të rinovojë herë pas here vartësit, me njerëz besnikë, por aspak të aftë në futboll, mjafton që ata të kenë dhënë prova se janë besnikë deri në vdekje të presidentit të FSHF-së.

Në kaq vite në krye të federatës, Duka ka ndërruar shumë sekretarë. Në fillim miq, por më pas shndërruar në armiq të betuar të tij. E nisi me Starovën sekretar federate në vitin 2002, por midis tyre shpejt do të shpërthente konflikti, aq sa Starova nuk ka studio televizive pa e cilësuar Dukën njeri me veprimtari të errët dhe që nuk kishte lidhje me futbollin. Edhe sot Starova e akuzon Dukën si shkatërrues të futbollit në vend, duke e lidhur me veprimtarinë aspak profesionale dhe të kurdisur të arbitrimit.

Një tjetër sekretar që doli kundër Dukës e madje ishte dhe kandidat për anëtar komiteti në zgjedhjet e fundit, është Eduard Prodani. Pasionant në punë, njohës i shkëlqyer i rregulloreve dhe praktikës juridike, ish-sekretari i urtë i Dukës, ishte në zgjedhjet e fundit një prej zërave më kritikë të tij, duke e akuzuar për autoritar dhe aspak serioz në drejtim.

Edhe nga stafet e ekipeve kombëtare ka pasur plot që nuk kanë shkuar mirë me Dukën, nisur nga Astrit Hafizi, e përfunduar së fundmi me Redi Jupin, njeriu që deri dje llogaritej si krahu i djathtë i Dukës, por që së fundmi, në emisionet televizive Jupi ka shigjetuar keqas Dukën, sidomos sa u përket trukimeve në kampionat, i cili është bërë i pandjekur, por edhe për shumë aspekte të tjera. Kujtojmë se Jupi së bashku me Alban Bushin ishin përfolur se menaxhonin kompleksin e skuadrave kombëtare në Kamëz, por pa dijeninë e Dukës asgjë nuk ndodh.

Të gjithë këta njerëz i bashkon një element i rëndësishëm në marrëdhëniuen me kreun e federatës. Ai në publik i ka mbrojtur e mbështetur, por nën rrogoz ka punuar kundër tyre, duke u vënë njerëz nga pas për t’spiunuar dhe u ka ngrënë dheun nën këmbë që ata të mos ishin në asnjë moment të sigurt.

Kjo është arsyeja që të gjithë bashkëpunëtorët e ngushtë të Dukës ndër vite sot janë armiqtë e tij. Ai i merr dhe i njollos, e në fund i flak në rrugë, duke ua lënë përgjegjësinë atyre dhe për vete nuk merr kurrfarë përgjegjësie dhe vijon të tallet me të gjithë, sepse ai e ka rrëmbyer mandatin nëpërmjet votave që me kohën i ka siguruar nëpërmjet shoqatash fantazmë dhe blerjesh së individëve me të drejtë vote nga klubet. /Pamfleti Sport

Kryesore