Reshjet intensive të shiut, dëmtohet sërish ura e Zogut në Milot - Aktualitet
Aktualitet15 Dhjetor 2022, 08:44

Reshjet intensive të shiut, dëmtohet sërish ura e Zogut në Milot

Shkruar nga Pamfleti
Reshjet intensive të shiut, dëmtohet sërish ura e Zogut në

Reshjet e shiut të rëna gjatë natës kanë shtuar prurjet në lumenjtë Drin dhe Mat. Për pasojë është dëmtuar njëra këmbë e urës së Zogut, dhe është fundosur 2 metër. Ura e Zogut, e cila është monument kulture, i është dëmtuar e gjithë struktura, përfshi edhe harqet dhe rrezikon të shembet plotësisht.

Kujtojmë se pak ditë më parë reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje në tokat bujqësore.

Ura e Zogut është një nga më të veçantat në vendin tonë për strukturën e saj arkitekturore. Stili i harqeve i japin asaj vlerë muzeore. Ajo është ndërtuar nga një inxhinier italian dhe ka marrë emrin e Mbretit Zog, pasi ai ishte vetë ideatori për ndërtimin e urës. Në ato vite ura ishte një portë e domosdoshme për të hyrë në Shqipërinë e Epërme që përfshin Shkodrën, Lezhën, Mirditën, Tropojën, Kukësin, Pukën.

Vepra kulturore që po degradon dita-ditës është e njohur si një ndër më të mëdhatë në Ballkan. Ajo ndodhet në krahun e majtë të Rrugës së Kombit dhe ura lidhej me Kurbinin, Mirditën dhe Lezhën.

Aktualitet Reshjet intensive të shiut