TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet21 Janar 2024, 08:32

13 vite pa drejtësi! Nga plumbat e shtetit te fshirja e serverëve të Kryeministrisë, çfarë ndodhi më 21 janar 

Shkruar nga Pamfleti

13 vite pa drejtësi! Nga plumbat e shtetit te fshirja e serverëve

Më 14 nëntor 2023 Gjykata e Strasburgut Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut shprehet me vendim se në hetimin e ngjarjeve të 21 janarit 2011 janë vërejtur mangësi të shumta të cilat ngritën dyshime se autoritetet ishin përpjekur ta devijonin apo të ndërhynin padrejtësisht.

Disa ditë përpara protestës, Partia Socialiste e Shqipërisë, atëherë partia kryesore opozitare, njoftoi që protesta do të zhvillohej përpara Kryeministrisë, e cila ndodhej në bulevardin kryesor të Tiranës.

Më 19 janar 2011, Drejtoria e Policisë Vendore e Tiranës i shkroi kryetarit të Partisë Socialiste për ta informuar që organizatori i protestës kishte detyrimin që të njoftonte policinë me shkrim, në lidhje me protestën. Në përgjigje të kësaj, Partia Socialiste njoftoi policinë po atë ditë. Të nesërmen, Drejtoria e Policisë Vendore të Tiranës kërkoi më shumë detaje për organizimin e protestës, vendet e grumbullimit të protestuesve dhe itinerarin e tyre. Partia Socialiste dha detajet e kërkuara po atë ditë.

Më 19 janar 2011, komandanti i përgjithshëm i Gardës së Republikës, atëherë Ndrea Prendi (garda e nderit për shtetin e ngarkuar me detyrën e sigurimit të mbrojtjes së personaliteteve të larta të shtetit dhe objekteve të caktuara shtetërore, përfshirë Kryeministrinë) urdhëroi njësitë e ndryshme të Gardës së Republikës që të ishin në gatishmëri, të merrnin masa specifike dhe të përgatisnin plane të detajuara për mbrojtjen e Kryeministrisë nga çdo akt dhune gjatë protestës (urdhër nr. 28s/1, lëshuar po atë ditë).

Komandantët e njësive të ndryshme të Gardës së Republikës përgatitën planet e tyre përkatëse, të cilat u miratuan më pas nga komandanti i përgjithshëm i Gardës së Republikës.

Në veçanti, komandanti i “Njësisë Speciale” përgatiti planin nr. 28s/9, të 21 janarit 2011, i cili parashikonte, aq sa është e rëndësishme, që një:

“grupi i përbërë nga [gjashtë oficerë] do të jetë në gatishmëri, gati për të hapur zjarr në rast të thyerjes së kordonit të Njësisë së Dytë dhe Njësisë Speciale”.

Për sa i përket logjistikës, planet e Gardës së Republikës parashikonin që përveç pajisjeve mbrojtëse si: jelekë specialë, helmeta, maska kundër gazit, oficerët do të pajiseshin edhe me pushkë sulmi “tipi 56”, përfshirë plumba manovre dhe të vërtetë.

Po kështu, Policia e Tiranës përgatiti një “plan masash” me dyzet e katër faqe për garantimin e rendit përpara, gjatë dhe pas protestës së 21 janarit 2011. Ai plan parashikonte detajet e detyrave të ndryshme specifike që i ngarkoheshin çdo drejtorie dhe departamenti të policisë në lidhje me protestën; veçanërisht i udhëzonte ata të bënin planifikimin përpara protestës.

Më 21 janar 2011, protestuesit filluan të mblidhen rreth orës 11:00 paradite në sheshin kryesor të qytetit; në të njëjtën kohë, komandantët e Gardës së Republikës i dhanë oficerëve të tyre udhëzimet përfundimtare. Oficerët e Gardës së Republikës më pas zunë pozicionet e tyre rreth Kryeministrisë. Përfaqësues të shumë mediave u pozicionuan gjithashtu në anë të ndryshme të Kryeministrisë – disa prej tyre në platforma të ngritura që ishin vendosur për të mbuluar protestën.

Rreth orës 14:00 protestuesit mbërritën te Kryeministria, përpara hyrjes kryesore ku kishte dy kordonë policie.

Rreth orës 14:30 disa nga protestuesit nisën të gjuanin me sende të forta kundër kordonit të parë të policëve dhe situata u përshkallëzua. Kordoni i dytë i policisë (i cili përbëhej nga forcat speciale të policisë), hodhi gaz lotsjellës. Rrjedhimisht, protestuesit u shpërndanë përkohësisht dhe policët e kordonit të parë, të cilët nuk ishin të pajisur me maska gazi lotsjellës, u larguan nga pozicionet e tyre. Protestuesit vazhduan të gjuanin me gurë dhe sende të ndryshme të forta nga anët e godinës. Ata gjithashtu u grumbulluan përsëri përballë saj.

Autoritetet përdorën topat e ujit për t’i shpërndarë. Protestuesit dogjën disa pemë dhe makina, dhe hodhën koktejl molotov në drejtim të godinës së Kryeministrisë. Disa policë dhe oficerë të Gardës së Republikës u plagosën.

Në një kohë të pacaktuar (rreth orës 16:00) një numër relativisht i vogël protestuesish sulmuan portën prej hekuri të makinave në veri të ndërtesës dhe depërtuan njëzet ose tridhjetë metra në oborr (d.m.th. në zonën mes gardhit mbrojtës dhe vetë ndërtesës).

Një makinë e drejtuar nga një protestues u përpoq të hynte me forcë përmes portës së makinave, por u përplas me një pengesë të ngritur për të parandaluar ndërhyrje të tilla.

Një oficer i Gardës së Republikës përdori megafonin për të paralajmëruar protestuesit duke thënë si më poshtë: “Qytetarë, po shkelni rregullat, po shkelni ligjin, keni hyrë në zonat e sigurisë; ndaj jush do të ndërmerren masa sipas ligjit.”. Më pas, një grup oficerësh të Gardës së Republikës, të pajisur me mburoja dhe shkopinj, ndërhynë dhe i shtynë protestuesit jashtë oborrit.

Në një moment të pacaktuar, disa oficerë të Gardës së Republikës filluan të përdorin armët e tyre të zjarrit, duke qëlluar me plumba manovër, por edhe të vërtetë, me justifikimin për të penguar vazhdimin e sulmit të protestuesve ndaj godinës.

Rreth orës 16:10, si pasojë e të shtënave, tre protestues, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj vdiqën në vend. Aleks Nika, i cili në ato momente ndodhej pranë trotuarit përballë Kryeministrisë dhe nuk ishte i përfshirë në asnjë akt të dhunshëm, u godit nga një plumb në kokë.

Po kështu, tre viktimat e tjera ndodheshin jashtë oborrit të Kryeministrisë dhe asnjëra prej tyre nuk ishte e përfshirë në akte të dhunshme. Si pasojë e konfrontimeve u plagosën rreth dyzet e pesë qytetarë, tetëdhjetë e një oficerë të Gardës së Republikës dhe njëzet e shtatë police.

Pas përfundimit të dhunës, dy mjekë në Spitalin e Traumës në Tiranë –duke iu përgjigjur pyetjeve të medias  deklaruan se rreth 30 persona kishin kërkuar ndihmë mjekësore në spital. Ata deklaruan se tre protestues kishin vdekur nga plagët që dukej se ishin shkaktuar nga armë të lehta të gjuajtura nga një distancë e afërt.

Në një konferencë për shtyp pak orë pas protestës, Sali Berisha, kryeministri i asaj kohe, deklaroi se sipas raporteve paraprake mbi incidentin, viktimat ishin qëlluar nga afër me armë të një lloji të ndryshëm nga ato që përdor policia dhe Garda e Republikës. Gjithashtu ai i ftoi prokurorët që të hetonin ngjarjen.

Vonë në mbrëmjen e së njëjtës ditë, 21 janar, në media u transmetua një video që shfaqte momentin e vrasjes së njërit prej protestuesve (jo të Aleks Nikës). Në video shihet se viktima, para se të qëllohej, qëndronte në bulevard pak metra larg portës së makinave në veri të Kryeministrisë dhe shikonte se si një tjetër protestues, i cili ndodhej brenda oborrit, hodhi një objekt drejt godinës. Papritur, viktima ra në tokë dhe protestuesit e tjerë iu afruan dhe më pas e morën me vete. Në video u shfaq gjithashtu një oficer i Gardës së Republikës që qëllonte me armë nga një dritare e ndërtesës.

Aleks Nika mori kujdesin mjekësor fillestar në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe më pas u transferua për kujdes të specializuar në Stamboll, ku vdiq më 4 shkurt 2011. Ai u varros në Shqipëri më 7 shkurt 2011.

Hetimi paraprak

Më 21 janar 2011, Prokuroria e Tiranës filloi hetimin për ngjarjet bazuar në dyshimin se ishin kryer këto vepra: vrasje, shkatërrim prone me zjarr, shkatërrim prone, shpërdorim detyre dhe pjesëmarrje në tubim të paligjshëm.

Po atë mbrëmje, specialistët e hetimit kontrolluan zonën përreth Kryeministrisë dhe mblodhën rreth pesëqind gëzhoja, si edhe dymbëdhjetë plumba. Ata bënë edhe fotografi dhe përshkrime të detajuara të gjendjes së godinës së Kryeministrisë dhe pjesës së bulevardit ku ishte zhvilluar protesta. Përveç kësaj, morën në pyetje një numër protestuesish, mjekësh dhe gazetarësh; nga këta të fundit hetuesit morën edhe kopje të videoregjistrimeve që gazetarët dhe kolegët e tyre kishin bërë për ngjarjet gjatë protestës. Marrja në pyetje e personave me interes  rreth nëntëdhjetë e dy persona gjithsej –vazhdoi gjatë ditëve, javëve dhe muajve në vijim.

Më 22 janar 2011, prokurorët urdhëruan Institutin e Mjekësisë Ligjore që të kryente ekzaminimin e trupave të të gjitha viktimave, përveç Aleks Nikës. Në veçanti, prokurorët i udhëzuan ekspertët që: të ekzaminonin plagët; të përcaktonin se si ishin shkaktuar; të analizonin vrimat hyrëse dhe dalëse të çdo plumbi dhe trajektoren e tyre; dhe shkakun e vdekjes së tyre. Ekspertiza të ngjashme u urdhëruan dhe u kryen me disa nga protestuesit e plagosur.

Gjithashtu, prokurorët vendosën sekuestrimin e disa armëve që ishin përdorur nga efektivët e Gardës së Republikës gjatë protestës. Në javët në vijim u sekuestruan edhe armë të tjera. Armët e sekuestruara, gëzhojat e gjetura në vendin e protestës dhe veshjet e viktimave ju nënshtruan ekspertizës.

Gjithashtu, prokurorët urdhëruan Gardën e Republikës që t’u jepte atyre kopje të të gjitha regjistrimeve audio të komunikimeve me radio mes oficerëve të saj, dhe si përgjigje të këtij urdhri më 6 shkurt 2011, Garda e Republikës deklaroi se komunikimet nuk ishin regjistruar.

Më 24 dhe 26 janar 2011, dy raporte ekspertimi kimik, të cilat ishin urdhëruar nga prokurorët për të konstatuar nëse tre viktimat e sipërpërmendura dhe tre nga të plagosurit kishin përdorur armë zjarri gjatë protestave, konstatuan se nuk kishte mbetje armësh zjarri në rrobat e personave në fjalë.

Përpjekje për arrestimin e oficerëve të Gardës së Republikës për t’i marrë në pyetje

Herët në mëngjesin e datës 22 janar 2022, prokurorët nxorën urdhërndalime për gjashtë oficerët e lartë të Gardës së Republikës. Në orën 6:20 të mëngjesit urdhrat ju dorëzuan policisë për ekzekutim.

Ngjarjet e mëvonshme të 22 janarit 2011, u përshkruan nga kryeministri i atëhershëm në një fjalim para Parlamentit, më 23 janar 2011: Ministri i Brendshëm Lulzim Basha, i cili ishte në krye të policisë, përmendi në një telefonatë drejtuar Prokurores së Përgjithshme të asaj kohe se Oficerët e Gardës së Republikës do të viheshin plotësisht në dispozicion për t’u marrë në pyetje. Megjithatë, ministri kërkoi rivlerësimin e urdhërarresteve duke pasur parasysh, ndër të tjera njoftimin e opozitës se më 28 janar 2011 do të zhvillohej një marshim i heshtur dhe nevojën e Gardës së Republikës për të pasur në dispozicion të gjithë oficerët e saj.

Prokurorja e Përgjithshme refuzoi kërkesën dhe kërkoi sërish ekzekutimin e urdhrave të arrestit nga policia. Pasdite, drejtori i përgjithshëm i Policisë njoftoi Prokuroren e Përgjithshme se për shkak të gabimeve teknike dhe administrative, urdhërarrestet nuk mund të ekzekutoheshin.

Më 24 janar 2011, Kryeministri i asaj kohe, Sali Berisha, bëri komentet e mëposhtme për hetimin në vazhdim të ngjarjeve: “Edhe pse grushti i shtetit po i përmbahet strategjisë së tij, ne do të vazhdojmë detyrat tona si qeveri. Unë them [ata] do të vazhdojmë, sepse Prokurorja e Përgjithshëm – e cila brenda 6 orëve, pa asnjë hetim, dje urdhëroi arrestimin e të gjithë zinxhirit [të komandës] së Gardës së Republikës sot nuk ka urdhëruar masën e arrestit me burg ndaj njërit prej krye-terroristëve dhe krye-banditëve që u filmua dhe u fotografua nga mediat shqiptare dhe të huaja me revolver në brez në derën e Kryeministrisë.

 ... Dëshiroj t’i them zonjës Prokurore të Përgjithshme se Garda e Republikës, të cilës ju dëshironi t’i prisni kokat për qëllimet tuaja[,] ju mbron juve gjithashtu – ajo ka për detyrë t’ju mbrojë juve; ju ka mbrojtur dhe do t’ju mbrojë përsëri, për këtë të jeni e sigurt, për aq kohë sa mbani postin [tuaj].

 ... Zonja që liron personin e armatosur me armë që sulmoi oficerët që e mbrojnë atë, duhet ta dijë se ajo ka hyrë në territor shumë të gabuar dhe se ky nuk është zbatim i ligjit. Ky nuk është organi ligjzbatues për të cilin kanë votuar qytetarët shqiptarë. Të kërkosh arrestimin e komandantit të përgjithshëm të Gardës dhe të atyre që kanë mbrojtur institucionet [shtetërore] dhe të lirosh banditin që i vuri flakën [atyre] institucioneve, të nxjerr shumë keq para shqiptarëve dhe botës.”.

Më 27 janar 2011, gjatë një takimi me familjarët e oficerëve të policisë dhe të Gardës, Kryeministri kritikoi sërish  këtë herë me fjalë ofenduese –Prokuroren e Përgjithshme, atëherë Ina Rama personalisht për mënyrën se si po hetoheshin ngjarjet e 21 janarit 2011.

Më 7 shkurt 2011, hetuesit e policisë këqyrën përsëri vendin e protestës dhe vunë re se gardhi metalik i ndërtesës ishte dëmtuar nga forca e atyre që dukej se ishin predha. Ata bënë fotografi të gardhit.

Përpjekje për marrjen e videoregjistrimeve të bëra nga kamerat e sigurisë së Kryeministrisë

Më 23 janar 2011, gjatë mbledhjes së kabinetit, Kryeministri deklaroi se zyra e tij ishte e pajisur me një sistem kamerash sigurie që kishte regjistruar ngjarjet gjatë protestës. Ai shtoi se i kishte kërkuar sekretarit të përgjithshëm të Kryeministrisë që regjistrimet t’i vendoste në dispozicion të prokurorëve.

Më 26 janar 2011, prokurorët i kërkuan Zyrës së Kryeministrit që të jepte një kopje të pamjeve të regjistruara nga kamerat e sigurisë të vendosura përreth ndërtesës. Në përgjigje të kësaj, Kryeministria dha regjistrimet e bëra nga një kamerë që ndodhej në çatinë e godinës.

Më 15 shkurt 2011 prokurorët përsëritën kërkesën e tyre, në përgjigje të së cilës Kryeministria u përgjigj se kamerat e tjera ishin jashtë funksionit që nga viti 2009.

Më 4 mars 2011, prokurorët sekuestruan hard diskun (regjistruesin digjital të diskut) e sistemit të kamerave të Kryeministrisë. Në të njëjtën datë, Zyra e Kryeministrit njoftoi prokurorët se një kamerë tjetër sigurie kishte regjistruar më 21 janar 2011 dhe u dërgoi atyre një videoregjistrim. Kamera e dytë ishte orientuar drejt portës së hekurt në veri të ndërtesës – një zonë me interes për hetimin. Megjithatë, pamjet e kamerës zgjasnin vetëm pak minuta dhe mbulonin periudhën pas përfundimit të protestës.

Më 8 shkurt 2011, oficerët e lartë të Gardës së Republikës, për të cilët ishin lëshuar urdhraarresti (shihni paragrafin 27 më sipër), u dorëzuan në Prokurorinë e Tiranës. Ata u morën në pyetje nga prokurorët po atë ditë.

Më 9 shkurt 2011, Prokuroria e Tiranës shqyrtoi regjistrin e marrjes në dorëzim të shërbimit të qendrës operacionale të Gardës, ku regjistrohen të dhënat kryesore ditore, urdhrat, detyrat dhe veprimtaritë e Gardës së Republikës. Në veçanti, autoritetet morën një kopje të faqeve të regjistrit, në lidhje me aktivitetet e 21 janarit 2011. Regjistri nuk përmbante asnjë shënim për ndonjë urdhër për përdorimin e armëve të zjarrit. U vu në dukje se Ndrea Prendi kishte urdhëruar oficerët të përdornin shkopinj shumë herë dhe se në një moment ai i kishte paralajmëruar ata që “të mos hapnin ...zjarr [në asnjë mënyrë] në kundërshtim me ligjin”. Në orën 16:10 ai i kishte urdhëruar që të shtynin me shkopinj gome protestuesit që kishin hyrë në oborrin verior. Në orën 16:13 një oficer kishte kërkuar municion me urgjencë. Prokuroria e Tiranës shqyrtoi gjithashtu një sërë të dhënash të tjera të brendshme të Gardës, në lidhje me armët që u ishin shpërndarë oficerëve të saj më 21 janar 2011 dhe organizimin, dhe planifikimin e përgjithshëm të oficerëve të Gardës përpara se të zhvillohej demonstrata.

Pas vdekjes së Aleks Nikës më 5 shkurt 2011 autoritetet turke nxorën një plumb nga koka e tij. Më 17 shkurt 2011, autoritetet shqiptare i dërguan një letërporosi autoriteteve turke. Në përgjigje të saj, plumbi iu përcoll autoriteteve shqiptare, të cilat e morën në fillim të majit 2011.

Më 24 maj 2011, Drejtoria e Policisë Shkencore e Policisë së Shtetit nxori raportin e ekspertimit për plumbin që ishte gjetur në kokën e A. N. Sipas tij, plumbi kishte humbur formën e tij origjinale dhe karakteristikat identifikuese për shkak të dëmtimit; prandaj nuk ishte e mundur të përcaktohej arma nga e cila kishte dalë.

Më 6 qershor dhe 21 korrik 2011, autoritetet shqiptare i dërguan letërporosi Departamentit të Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Aq sa ishte e nevojshme, autoriteteve amerikane ju kërkua të përmirësonin cilësinë e videove dhe fotografive të protestës së 21 janarit 2011 dhe të kryenin ekzaminimin e objekteve të ndryshme që ishin me interes për hetimin – përfshirë hard diskun e kamerave të sigurisë të vendosura në ndërtesën e Kryeministrisë dhe plumbat dhe predhat që ishin pjesë e përmbajtjes së dosjes penale.

Më 13 gusht 2011, autoritetet amerikane dhanë një raport ekspertimi ku thuhej se hard disku i Kryeministrisë ishte riformatuar manualisht (domethënë të dhënat e indeksit kryesor ishin fshirë manualisht) më 22 janar 2011, në orën 00:51 dhe më 28 janar 2011, në orën 12:10.

Në raport, gjithashtu, thuhej se të dhënat në hard disk ishin kopjuar në një disk të jashtëm në mbrëmjen e 21 janarit 2011 dhe më 28 janar 2011.

Më 5 janar 2012, autoritetet amerikane dorëzuan një tjetër raport ekspertimi, ku thuhej, për aq sa ishte e rëndësishme, se “për shkak të mungesës së shenjave të mjaftueshme mikroskopike përkatëse me vlerë” nuk ishte e mundur të përputhej plumbi i gjetur në trupin e anëtarit të familjes së kërkueseve me ndonjë nga armët e paraqitura për ekzaminim.

Dy raporte të tjera ekspertimi dolën në përfundimin se plumbat që u gjetën te dy viktimat e tjera ishin qëlluar nga një pistoletë Beretta dhe një armë automatik MP-5, përkatësisht.

Më 21 janar 2011, këto armë ishin përdorur përkatësisht nga N. P., komandant i përgjithshëm i Gardës dhe A zëvendëskomandant i “Njësisë Speciale të Gardës”. Në raporte thuhet gjithashtu se pas ngjarjeve të 21 janarit 2011 tyta e pistoletës së N. P. ishte zëvendësuar me tytën e armës së një oficeri tjetër.

Më 18 prill 2012, prokurorët akuzuan dy oficerë të Gardës Agim Llupo dhe Ndrea Prendi, për vdekjen e tre protestuesve (pa përfshirë Aleks Nikën). Një oficer i tretë i Gardës, M. K, u akuzua për pengim të drejtësisë. Në të njëjtën datë, prokurorët e veçuan çështjen e Aleks Nikës nga pjesa tjetër e hetimit, me arsyetimin se nevojiteshin veprime të mëtejshme hetimore në lidhje me rastin e tij

Bazuar në gjetjen e aktekspertimit të lartpërmendur se hard disku i sistemit të kamerave të sigurisë ishte kopjuar dhe se përmbajtja e tij më pas ishte fshirë prokurorët akuzuan nëpunësin e teknologjisë së informacionit (IT) të Kryeministrisë për pengim të drejtësisë. Sipas aktakuzës, menjëherë pas protestës së 21 janarit 2011, prokurorët kishin nxjerrë një urdhër me gojë drejtuar stafit administrativ të Kryeministrisë që të ruanin të paprekura videoregjistrimet e kamerave të sigurisë së ndërtesës. Pavarësisht atij urdhri, përmbajtja e hard drive të kamerave ishte kopjuar; më pas, hard disku ishte riformatuar. Gjithashtu, në përgjigje të kërkesës së prokurorit, stafi administrativ i Kryeministrisë kishte dhënë fillimisht regjistrimet e bëra vetëm nga njëra kamerë, e cila ishte vendosur në çatinë e godinës, duke deklaruar se kamerat e tjera nuk punonin ditën e ngjarjeve në fjalë. Megjithatë, kur prokurorët sekuestruan hard diskun e kamerave të tjera, stafi administrativ u përcolli atyre regjistrimet e bëra nga një kamerë tjetër

Prokurorët shtuan se, sipas raportit të ekspertimit të autoriteteve amerikane, në datën e ngjarjes në fjalë kanë qenë në punë më shumë se dy kamera; në fakt, njëmbëdhjetë kamera ishin konfiguruar për regjistrim

Në mbrojtje të tij, nëpunësi i IT-së i Kryeministrisë deklaroi se kishte parë dy videoregjistrime në hard disk dhe më pas i kishte kopjuar në dy DVD, me kërkesë të një oficeri të Gardës. Ai ia kishte dorëzuar një nga DVD-të një oficeri të Gardës; DVD-në tjetër e kishte ruajtur në zyrën e tij. Ai kishte harruar për DVD-në e dytë dhe ishte kujtuar vetëm më vonë. Ai mohoi se kishte riformatuar hard diskun dhe deklaroi se pas orës 22:00 kishte qenë në shtëpi; prandaj, nuk kishte se si të riformatonte hard drive-in natën e 21–22 janarit.

Oficerët e Gardës dëshmuan se i kishin kërkuar nëpunësit të IT-së që t’u jepte atyre një kopje të regjistrimeve të bëra nga kamerat e Kryeministrisë. Ata dëshmuan gjithashtu se “dhoma e serverit” kishte qenë nën mbikëqyrjen e tyre natën e 21–22 janarit dhe se askush nuk e kishte përdorur pajisjen.

Më 26 korrik 2012, Gjykata e Rrethit Tiranë e shpalli të pafajshëm të pandehurin, duke vënë në dukje se nuk ishte provuar, përtej dyshimit të arsyeshëm, se ishte i pandehuri ai që kishte kryer veprimet e dyshuara nga prokurorët.

Më 20 shkurt 2013, ky vendim u la në fuqi në apel; më 19 mars 2015, Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin për çështje të ligjit të paraqitur nga prokuroria.

Gjykatat e brendshme arritën në përfundimin se hard disku ishte riformatuar por vunë re se nuk kishte asnjë provë që këtë veprim e kishte kryer i pandehuri. Madje, ato vunë në dukje se deklaratat e oficerëve të Gardës, të cilët kishin dëshmuar se kishin mbikëqyrur dhomën e serverit gjatë të gjithë natës në fjalë, binin në kundërshtim me versionin e ngjarjeve të paraqitur nga prokuroria. Gjykatat gjithashtu pranuan se mosdhënia nga ana e të pandehurit e videoregjistrimit të dytë në kohën e duhur tregonte sjellje të pakujdesshme dhe jo qëllim kriminal.

Më 5 maj 2014, Instituti i Mjekësisë Ligjore përpiloi një raport ekspertimi për plagët e Aleks Nikës. Në raport thuhej se ekzaminimi ishte urdhëruar nga prokurorët në datën 21 janar 2011. Ekspertët cituan kartelat mjekësore të përgatitura kur ai ishte shtruar në Spitalin e Traumës së Tiranës. Ata cituan gjithashtu një raport ekspertize të datës 3 mars 2011, të prodhuar nga autoritetet turke sipas të cilit në kokën e Aleks Nika ishte gjetur një plumb. Referuar këtyre të dhënave, raporti i vitit 2014 konkludoi se Aleks Nika ishte plagosur në anën e majtë të ballit. Plaga ishte shkaktuar nga një e shtënë e vetme me armë zjarri; gjuajtja kishte thyer kockën dhe nuk kishte vrimë daljeje. Drejtimi i plumbit ishte nga përpara mbrapa dhe nga e majta në të djathtë.

Në datën 3 shkurt 2015, Prokuroria e Tiranës vendosi të urdhëronte një tjetër ekspertim balistik për plumbin që ishte gjetur në trupin e A. N. dhe ia kaloi plumbin Drejtorisë së Policisë Shkencore. Më 20 mars 2015, kjo e fundit e ka kthyer paketën në Prokurorinë e Tiranës, duke nënvizuar që Prokuroria kishte dërguar plumbin e gabuar. Pas një kërkese tjetër për një raport ekspertimi balistik, më 11 shtator 2015, dy ekspertë riekzaminuan plumbin. Ata vunë në dukje se ai kishte gjashtë vjaska; megjithatë, dolën në përfundimin se për shkak se plumbi ishte dëmtuar, ishte e pamundur të përputhej me armën nga e cila ishte shkrepur.

Më 22 qershor 2016, një familjar i Aleks Nika i kërkoi Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Tiranës që ta informonte për ecurinë e hetimeve dhe t’i përcillte një kopje të dosjes hetimore.

Më 25 korrik 2016, kërkuesja e parë i kërkoi gjithashtu Prokurorisë së Përgjithshme një kopje të dosjes hetimore.

Më 28 shkurt 2020, prokurorët arritën në përfundimin se ishin kryer të gjitha veprimet e mundshme hetimore për të zbardhur vrasjen e Aleks Nika më 21 janar 2011 dhe plagosjen e gjashtë personave të tjerë. Duke vënë në dukje se autorët e veprës në fjalë nuk mund të identifikoheshin, ata pezulluan hetimin dhe e dërguan rastin në polici për veprime të mëtejshme.

Më 20 janar 2021, Drejtoria e Policisë së Tiranës dërgoi një raport në Prokurorinë e Tiranës ku sugjeronte rihapjen e hetimeve. Raporti sugjeronte që të përgatiteshin raporte të tjera ekspertimi për viktimat që humbën jetën dhe për ata që ishin plagosur, si edhe për plumbin e gjetur në trupin e Aleks Nika. Në veçanti, ajo sugjeroi që të bëheshin hetime nëse kishte pasur ndonjë progres në teknologjinë kriminalistike, që mund të ishte në gjendje të identifikonte armën nga e cila kishte dalë plumbi i gjetur në trupin e Aleks Nika. Ajo sugjeroi gjithashtu që të gjitha videoregjistrimet e protestës të ekzaminoheshin përsëri dhe të gjithë personat e përfshirë të merreshin sërish në pyetje.

Më 2 prill 2021 prokurorët rihapën hetimet.

Më 28 maj 2021, prokurori komunikoi me Drejtorinë e Policisë Shkencore për ta pyetur nëse, që nga 11 shtatori 2015, kishte pasur ndonjë progres teknologjik – qoftë brenda vendit, qoftë në Bashkimin Evropian apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – që do të mundësonte identifikimin e armës nga e cila kishte dalë plumbi i gjetur në trupin e Aleks Nika. Në mungesë të përgjigjes, kërkesa u përsërit më 22 shtator 2021.

Më 8 korrik 2021, kërkuesja e parë i konfirmoi Prokurorisë së Tiranës se ajo ishte informuar për veprimet që prokurorët kishin ndërmarrë deri më 28 shkurt 2020 dhe kërkoi çdo përditësim në lidhje me veprimet e tyre që nga ajo datë. Më 15 korrik 2021, prokurorët u përgjigjën se kërkuesja e parë do të informohej për çdo gjetje në fund të hetimit.

Më 4 tetor 2021, Drejtoria e Policisë Shkencore iu përgjigj prokurorëve duke i informuar se nuk kishte pasur progres teknologjik që mund të mundësonte dhënien e një rezultati të ndryshëm nga ai i marrë deri në atë datë, në lidhje me plumbin që vrau Aleks Nika. Ajo gjithashtu deklaroi se nuk kishte informacion të detajuar nëse ndonjë progres i tillë teknologjik kishte ndodhur diku tjetër dhe sugjeroi që prokurorët të bënin një kërkesë pranë Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës Balistike të Mbretërisë së Bashkuar dhe laboratorit të Byrosë Federale të Hetimit të SHBA-së.

Më 21 janar 2022, me anë të një letërporosie, autoritetet shqiptare i kërkuan autoriteteve italiane të kryenin ekspertimin e plumbit që ishte gjetur në trupin e A. N. Asnjë informacion tjetër nuk është dhënë në lidhje me këtë.

Më 23 janar 2023, siç raportohet në mediat lokale, ministri i Drejtësisë ka depozituar kallëzimin në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (“Prokuroria e Posaçme”), në lidhje me ngjarjet e 21 janarit 2011 kundër Ndrea Prendi, Kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm, të cilët kishin qenë në detyrë në kohën e ngjarjeve në fjalë. Kërkesa thuhet se bazohej në raportet e medias që sipas një regjistrimi audio të komunikimeve radiofonike Ndrea Prendi, komandanti i përgjithshëm i atëhershëm i Gardës së Republikës, kishte urdhëruar oficerët e Gardës të hapnin zjarr. Mësohet se Prokuroria e Posaçme ka përcjellë kallëzimin e ministrit të Drejtësisë në Prokurorinë e Tiranës për shkaqe juridiksioni.

Më 16 shkurt 2023, sipas raportimeve të medias vendase, disa anëtarë të familjeve të viktimave të 21 janarit 2011 (përfshirë edhe Aleks Nika.) kanë depozituar një kallëzim të ri penal në Prokurorinë e Posaçme. Në kallëzimin e tyre ata kanë deklaruar se kishin një provë të re – domethënë regjistrimin audio të përmendur më lart (shihni paragrafin 81 më lart) – dhe se do t’ia dorëzonin atë vetëm Prokurorisë së Posaçme sepse nuk kishin besim te Prokuroria e Tiranës, e cila e kishte zvarritur çështjen për dymbëdhjetë vjet.

Më 14 nëntor 2023 Gjykata e Strasburgut Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut shprehet me vendim se në hetimin e ngjarjeve të 21 janarit 2011 janë vërejtur mangësi të shumta të cilat ngritën dyshime se autoritetet ishin përpjekur ta devijonin apo të ndërhynin padrejtësisht. Vendimi u mor unanim nga 7 gjyqtarë ku u vlerësoi se ka dy shkelje të Nenit 2 (e drejta për jetën dhe për hetim) të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, në rastin e Aleks Nikës, një prej protestuesve të vrarë.

Trupa gjykuese vendosi se sipas nenit 46 (forca detyruese dhe ekzekutimi i vendimeve) autoritetet duhet të vazhdojnë përpjekjet për zbardhjen e vdekjes së Nikës si dhe të identifikojnë e ndëshkojnë përgjegjësit.

21 janari sali berisha

Lini një Përgjigje