Një nga aktivistët e protestës antiqeveritare deklaroi se gjatë tubimit të paradites para Kuvendit ishin angazhuar mbi 1 mijë efektivë policie nga të gjitha qarqet e vendit, duke e cilësuar këtë si një tregues të frikës së qeverisë nga protestuesit.
Sipas tij, masat e shtuara të sigurisë u panë që në orët e para të mëngjesit, kur qytetarët u mblodhën para Parlamentit, ndërsa hyrjet ishin bllokuar nga forca të shumta policore. Sipas tij, Parlamenti i ngjante filmit "Nusja dhe shtetrrethimi".
“Kjo është protesta e 58. E pamë sot te Parlamenti. Sa frikë kishin. Kishte 1 mijë policë nga të gjitha rrethet. Trembëdhjetë furgonë policie kishin ardhur vetëm nga Shkodra”, u shpreh aktivisti gjatë fjalës së tij.
Ai kujtoi gjithashtu se kjo datë përkon me përvjetorin e nisjes së qëndresës për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.
“Sot është dita për të përkujtuar përvjetorin e hapjes së festivalit në mbrojtje të Teatrit Kombëtar. Ajo qëndresë dyvjeçare ishte një pasion i demokracisë, të cilin e shembën me pabesi në mes të pandemisë”, deklaroi ai.
Protesta antiqeveritare ka hyrë në ditën e saj të 58-të, ndërsa organizatorët kanë bërë të ditur se tubimet do të vijojnë çdo ditë deri në plotësimin e kërkesës së tyre për largimin e qeverisë.
Lini një Përgjigje