TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet18 Qershor 2026, 17:14

A do ta shesin Baton Haxhiu dhe Bashkim Ulaj, Ilir Metën? Dëshmitarët që rrezikojnë të fundosin ish-presidentin

Shkruar nga Pamfleti
A do ta shesin Baton Haxhiu dhe Bashkim Ulaj, Ilir Metën?
Lart: Bashkim Ulaj, Kastriot Ismailaj dhe Elvis Mata; Poshtë: Vojsava Ismaili, Ilir Meta, Baton Haxhiu

Nga Kastriot dhe Vojsava Ismailaj, te Elvis Mata, Baton Hxhiu dhe Bashkim Ulaj, kush janë dëshmitarët kyç të listës së SPAK...

Një zhvillim interesant ka ndodhur sot në gjyqin kundër Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, pasi SPAK ka dorëzuar një listë me afro 30 emra për t’u marrë në pyetje.

Meta dhe Kryemadhi akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, lidhur me çështjen CEZ-DIA dhe kontratat e lobimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në listë bien në sy disa emra interesantë, të cilët rrezikojnë ta fundosin Ilir Metën. Duke i marrë me radhë, në krye është Jozef Hejsek, ish-shefi ekzekutiv i CEZ.

Nuk dihet nëse ai do të arrihet të gjendet dhe të sillet për të dëshmuar, por duhet thënë se në Arbitrazh Hejsek ka deklaruar se Ilir Meta kishte rekomanduar Kastriot Ismailajn si “njeriun e tij të besuar” për mbledhjen e borxheve të vjetra për llogari të CEZ Shpërndarje.

Emri i cili rrezikon vërtet pozitat e Ilir Metës është Elvis Mata, drejtor ekzekutiv i kompanisë DIA, e cila bëri pazaret me mbledhjen e borxheve të prapambetura.

Hetimet e SPAK bazohen në një padi të juristit Romeo Kara dhe në këtë padi, juristi ka treguar me detaje mbi lëvizjet e Elvis Matajt. Madje Kara ka pasur edhe biseda me të, të cilat i tregon në padi.

Duhet theksuar se Elvis Mata ka pasur rol thelbësor edhe në gjyqin ndaj Kastriot Ismailajt, i cili u dënua me burg.

Kara ka rrëfyer edhe bisedat me ish-zyrtarin e DIA-s, Elvis Mataj. Sipas tij, ai i ka rrëfyer lidhjet e Metës me Kastriot Ismailajn. “Sipas asaj që ka pohuar disa herë, në ambiente të ndryshme, vetë Ismailaj apo ish-drejtori ekzekutiv i DIA-s, Elvis Mataj, dyshja Meta-Ismailaj janë takuar në Pragë me dyshen Martin Roman & Tomas Pleskash, të cilët kanë qenë përkatësisht numrat 1 dhe 2 drejtues të CEZ Group. Ismailaj, me mburrje, në më shumë se një rast, ka pohuar se ish-ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Pragë, Qazim Tepshi, u aksidentua qëllimisht nga pala çeke, që ai të mos ishte i pranishëm në takimin e sipërpërmendur”, ka rrëfyer juristi.

Ndërkohë, në dosjen e SPAK theksohet se të dhëna të rëndësishme përftohen nga procesverbali i datës 23.09.2021, "Procesverbal i transkriptimit të bisedave, regjistruar me video dhe audio që ndodhen në USB", të dy USB-ve, në të cilat ndodhen regjistrimet që ka realizuar gazetari Artan Hoxha me shtetasin Elvis Mataj.

Regjistrimet janë audio dhe video dhe pjesëmarrësit në bisedë janë Elvis Mataj dhe Artan Hoxha, si dhe kameramani që i regjistron. Nga pamjet dhe përmbajtja e bisedave audio duket qartë se biseda është e lirë dhe asnjë prej bashkëbiseduesve nuk është nën presion apo i kanosur. Këto dy USB janë dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme nga gazetari Artan Hoxha.

Në këtë regjistrim, shtetasi Elvis Mataj dëshmon për një sërë rrethanash lidhur me çështjen CEZ-DIA, shtetasin Kastriot Ismailaj, njohjet e tij me shtetasin Ilir Meta dhe marrëdhënien me të, lidhjet me shtetasin Petrit Ahmeti etj.

Dy emra të tjerë me rëndësi janë Kastriot Ismailaj dhe Vojsava Ismailaj. I pari nuk ka pranuar të dëshmojë kundër Ilir Metës deri më tani. Por gruaja e tij, Vojsava, ka dhënë një intervistë e cila e fundos Ilir Metën totalisht. Ajo në atë intervistë flet për para, presione, pazare etj. Dhe për ta forcuar këtë, SPAK ka thirrur si dëshmitar edhe gazetarin që e mori në intervistë, Fatos Mahmutaj.

Ndërkohë në listë bien në sy edhe dy emra interesantë, Baton Haxhiu dhe Bashkim Ulaj. I pari është marrë madje edhe në pyetje nga SPAK.

Në vitin 2003, Ilir Meta ka blerë një vilë në Golem me vlerë 60 mijë USD. Sipas deklaratës së parë të pasurisë së Ilir Metës, vila kishte edhe një lulishte prej 327 m². Për të mbuluar vlerën e vilës, Ilir Meta thotë se ka marrë në atë kohë një kredi te Banka Italo-Shqiptare. Në vitin 2006, pra tre vite më vonë, Ilir Meta e shet vilën në Golem për 300 mijë euro te një biznesmen i njohur. Shuma e fituar nga shitja e banesës nuk u deklarua nga ish-presidenti në ILDKPKI në vitet 2007-2009. E njëjta banesë u rishit në vitin 2021 nga biznesmeni te gazetari Baton Haxhiu për 80 mijë euro. Dyshimet janë se Baton Haxhiu është pjesë e një skeme pastrimi parash.

Sa i takon Bashkim Ulajt, kreu i “Gener 2” është përfshirë në një diskutim, gati përplasje ekonomike, me Ilir Metën në lidhje me procedurat për shtrimin e fibrave optike dhe projekte të tjera infrastrukturore. Bisedat e siguruara nga SPAK tregojnë një seri takimesh të fshehta mes Bashkim Ulajt dhe biznesmenit Adrian Shatku, kushëriri i Monika Kryemadhit, e cila e pranoi para mediave lidhjen e miqësisë me biznesmenin.

Madje ka pasur një takim mes Shatkut dhe Ulajt, ku i pari i shkruan Kryemadhit se biznesmeni kishte rënë dakord për planin e tërheqjes, por ajo e porosit të kishte kujdes nga ai.

Pra, duket se dëshmitë në GJKKO do të jenë shumë interesante, pasi ka shumë persona në fjalë që dinë shumë për dyshen Meta-Kryemadhi, teksa ka edhe nga ata, si dy të fundit, që janë të zhytur edhe vetë. /Pamfleti

 

cez dia bashkim ulaj baton haxhiu

Lini një Përgjigje