Aktualitet 6 Korrik 2023, 12:10

Afera me inceneratorët/ Lefter Koka “fundos” gjithë qeverinë: U konsultuam me ministritë e tjera, proces i stisur politikisht

Shkruar nga Pamfleti
Afera me inceneratorët/ Lefter Koka “fundos” gjithë
Lefter Koka në gjykatë

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ka dalë sot para gjykatës për të paraqitur mbrojtjen mbi aferën e inceneratorit të Elbasanit. Prokuroria ka kërkuar 10 vite burg për të dhe sot është hapi i fundit para se gjykata të japë vendim. Koka sot shkoi vetë në gjykatë, ndërsa pritet që të flasë dhe ai në këtë proces.

Në pjesën e parë të mbrojtjes, Lefter Koka është përqendruar tek akuza e shpërdorimit të detyrës, duke ia kaluar përgjegjësinë Këshillit të Ministrave.

Avokati i tij pretendoi se në lidhje me inceneratorin e Elbasanit, i është kërkuar mendim katër ministrive, Financave, Ekonomisë dhe Energjetikës, Mjedisit dhe Drejtësisë.

"Gjatë kohës që janë bërë negociata me kompanitë e inceneratorit klienti im ka qenë jashtë vendit. Sa i përket procedurës së bërë me negocim pa shpallje, është bërë në kuadër të emergjencës mjedisore të shpallur nga Bashkia e Elbasanit. Në komisionet e ngritura, nuk ishte e përfshirë vetëm Ministria e Mjedisit, por kishte përfaqësues edhe nga ministritë e tjera. Në lidhje me këtë procedim janë pyetur 87 persona, janë vënë 33 numra në përgjim, 8 pajisje pc të Klodian Zotos janë sekuestruar, 11 institucione bankare, dy pajisje pc brenda kantinës së verës, nga të cilat nuk ka dalë asnjë provë direkte që e implikon z. Koka me akuzat", tha avokati.

Afera me inceneratorët/ Lefter Koka “fundos” gjithë

Më tej avokati ka thënë se klienti i tij po sulmohet politikisht.  Duke dhënë një tjetër mesazh të fortë.  

Provat në 120.000 faqe dosje hetimore faktojnë pafajësinë absolute të Lefter Kokës për 3 akuzat. Procesi është i stisur politikisht, ka porositës dhe ekzekutor. Kemi dorëzuar 3966 faqe me materiale provuese dhe ekspertuese që çmontojnë akuzën. Ato as nuk u lexuan nga prokuroria. Çfarë drejtësie është kjo? Asnjë nga shoqëritë nuk zotërohet dhe nuk ka lidhje me Lefter Kokën. Kjo është një anomali juridike. Asnjë qindarkë e pa justifikuar nuk është gjetur në pasurinë e Lefter Kokës. Asnjë cent nuk është kapur si provë e korrupsionit.

Prokuroria flet për dyshime, por dyshimet janë në favor të Lefter Kokës. Asnjë ligj i shkelur nuk citohet nga Prokuroria. Asnjë lek dëm nuk është shkaktuar nga veprimtaria ekzekutive e Ministrit të mjedisit. Akuzat pa prova forcojnë bindjen se Lefter Koka sulmohet politikisht”, tha ai.

Prokuroria e SPAK pak ditë më parë shpalli pretencat për inceneratorin e Elbasanit, ku kërkoi 10 vite burg për ish-ministrin Lefter Koka, i cili me gjykim të shkurtuar të vuajë 6 vite e 8 muaj burg.

Ish-ministri Lefter Koka akuzohet për “shpërdorim detyre” e kryer në bashkëpunim, “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve shtetërorë” si dhe “pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë penale”, kryer në bashkëpunim.

Për ish-sekretarin e Përgjithshëm dhe ish-deputetin Alqi Bllako, SPAK ka kërkuar 4 vite burg. Sipas SPAK, Bllako është deklaruar fajtor për veprën penale ‘shpërdorim detyre’ e kryer në bashkëpunim, i cili për shkak të gjykimit të shkurtuar mund të dënohet me 2 vite e 8 muaj burg.

Për Klodian Zoton, SPAK ka kërkuar që të dënohet me 10 vite burg, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendore”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”. për shkak të gjykimit të shkurtuar i pandehuri mund të dënohet me 6 vite burgim.

SPAK ka kërkuar që Stela Gugallja të dënohet me 7 vite burgim për veprat penale,  ‘Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendore’, ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale’. nëse gjykata pranon pretencën e prokurorisë, Gugallja mund të dënohet me 4 vite e 8 muaj burg.

Ndaj Mirel Mertirit rëndon vepra penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, e kryer ne rrethanën cilësuese “në bashkëpunim” dhe SPAK kërkon dënimin e tij me 9 (nëntë) vjet burgim. Me gjykim të shkurtuar, Mertiri përfundimisht dënohet me 6 vjet e 8 muaj burgim.

lefter koka inceneratori i elbasanit