Aktualitet 5 Tetor 2023, 16:16

Afera me inceneratorin e Elbasanit/ Shpallet i pafajshëm Alqi Bllako, 5.8 vite burg për Lefter Kokën

Shkruar nga Pamfleti
Afera me inceneratorin e Elbasanit/ Shpallet i pafajshëm Alqi Bllako, 5.8
Alqi Bllako dhe Lefter Koka

Pas inceneratorit të Fierit, Gjykata e Posaçme ka dhënë sot vendimin për aferën me inceneratorin e Elbasanit...

Ish-deputeti Alqi Bllako ka arritur t’i shpëtojë burgut sa i takon aferës me inceneratorin e Elbasanit. Gjykata e Posaçme e ka shpallur atë të pafajshëm sot, duke bërë që Bllako të jetë fajtor vetëm për inceneratorin e Fierit. Ndërkohë janë dënuar personat e tjerë më në krye Lefter Kokën. Ish-ministri është dënuar me 5.8 vite burg.

GJKKO gjithashtu vendosi heqje të së drejtës për të ushtruar funksion publik për pesë vite dhe i konfiskohet kantina "Gjergj Kastrioti" në vlerën që ka kryer korrupsionin dhe dy shoqëritë "Silvi" dhe "Pivot".

Prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin me 10 vite burg për ish-ministrin e Mjedisit. Të njëjtin dënim SPAK kërkoi edhe për administratorët Klodian Zoto e Mirel Mërtiri. Për këta të fundit u pranua pretenca, por përfitojnë nga gjykimi i shkurtuar. Zoto dhe Mërtiri u dënuan në përfundim me 6.8 vite burg. Stela Gugallja u dënua me 4.8 vite burg, ndërsa Pëllumb Abeshi me 2.8 burg.

Për ish-sekretarin e Ministrisë së Mjedisit Alqi Bllako, SPAK i kërkoi gjykatës dënimin me 4 vite burg me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe në fund dënimin me 2 vite e 8 muaj burgim. Por kjo akuzë ra. Edhe për anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, Serafin Papa, Bardhyl Çabiri e Jonida Zeqo u kërkua dënimi me 4 vite burg. Por edhe ata përfitojnë nga gjykimi i shkurtuar. 

Sipas prokurorisë, Lefter Koka në cilësinë e ministrit të Mjedisit ka dhënë me koncension dhe ka lejuar ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit duke përfituar rryshfet 3.7 milionë euro nga administratorët e kompanisë. Ndërsa Alqi Bllako  në bashkëpunim me zyrtarët e tjerë kanë organizuar procedurën për ngritjen dhe dhënien me koncensin të inceneratorit në kundërshti me ligjin.

Vendimi i gjykatës për inceneratorin e Elbasanit

Lefter Koka- dënohet me 8.6 vite burg, me gjykim të shkurtuar, 5.8 vite burg

Klodian Zoto- 10 vite burg, gjykim i shkurtuar  6.8 vite burg

Mirel Mertiti- 10 me vite, gjykim i shkurtuar 6.8 vite burg

Stela Gugallja- 7 vite, gjykim i shkurtuar 4.8 vite burg

Alqi Bllako shpallet i pafajshëm

Pellumb Abeshi- 4 vjet burg, gjykim i shkurtuar  2.8 vite burg

Bardhyl Cabiri- 2 vite burg

Jonida Zeqo- 4 vjet burg, gjykim i shkurtuar 2.8 vite burg

Serafin Papa- dënohet me 1.4 vite burg

Dënimi për inceneratorin e Fierit

Sot u dha dënimi i dytë për grupin që ligjëroi inceneratorët, pasi në 25 shtator ata u ndëshkuan për abuzime me inceneratorin e Fierit.

Lefter Koka, i cili gjendet në paraburgim që nga dhjetori i vitit 2021, u dënua me 6 vite e tetë muaj burg. Ai përfitoi nga gjykimi i shkurtuar ndërsa është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave.

Biznesmeni Klodian Zoto, i cili gjendet në arrati që kur u shpall në kërkim në dhjetor të vitit 2021, mori dënimin më të lartë me 8 vite burg. Zoto u shpall fajtor për korrupsion aktiv dhe u dënua me dy vite burg, për mashtrim me pasoja të rënda u dënua me 7 vite burg si dhe për krijimin e skemave mashtruese për TVSH u dënua me gjashtë vite burg. Ai u dënua gjithashtu me tetë vite burg për pastrim parash.

Ish-deputeti Alqi Bllako u dënua për shpërdorim detyre me 2.8 vite burg në rastin e incineratorit të Fierit. Ai qe akuzuar për korrupsion nga SPAK, e cila pretendoi se ka përfituar 15 milionë lekë nga kompania e incineratorit të Fierit. Por në dispozitivin e vendimit të gjykatës, Bllako u dënua vetëm për shpërdorim detyre.

Disa zyrtarë, të cilët ishin pjesë e grupit të punës që miratoi kontratën e koncesionit, u dënuan me nga dy vjet burg për abuzim me detyrën. Po kështu edhe biznesmenët që besohet se shërbyen si hallka për transferimin e parave. Të gjithë u dënuan me vendim të pezulluar, duke u lënë në burg.

afera inceneratori i elbasanit alqi bllako lefter koka