TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 8 Qershor 2026, 22:21

Afro 5 orë protestë dhe marshim në rrugët e kryeqytetit, 'revolucionarët' nuk ndalen

Shkruar nga Pamfleti
Afro 5 orë protestë dhe marshim në rrugët e kryeqytetit,
Vijon marshimi i protestuesve

Prej afro pesë orësh, mijëra qytetarë vijojnë marshimin në rrugët e Tiranës, duke e kthyer kryeqytetin në skenën e një prej mobilizimeve më të mëdha të viteve të fundit. Himni i Flamurit, thirrjet patriotike dhe sloganet kundër qeverisë kanë shoqëruar protestën gjatë gjithë mbrëmjes.

Protesta qytetare ka vijuar pa ndërprerje për afro pesë orë, ndërsa mijëra protestues kanë përshkuar disa herë rrugët kryesore të kryeqytetit, duke marshuar nga Kryeministria në bulevard, drejt qendrës së Tiranës, zonës së Korpusit Universitar dhe më pas duke u rikthyer sërish para godinës së qeverisë.

Atmosfera gjatë marshimit është karakterizuar nga një frymë e fortë patriotike. Me flamuj kuqezi në duar, qytetarët kanë kënduar Himnin e Flamurit dhe këngë të njohura patriotike, ndërsa brohoritjet kanë oshëtirë në të gjithë itinerarin e protestës.

"Revolucion", "Rama jepe dorëheqjen", “Shqipëria e shqiptarëve”, “Atdheu nuk shitet”, “Bashkohuni me ne”, “O sa mirë me qenë shqiptar”, “Rama ik”, “Edi Rama ka mbaru”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Opozitë e shitur” kanë qenë disa nga thirrjet më të dëgjuara gjatë mbrëmjes.

Pamjet nga marshimi tregojnë një pjesëmarrje masive, me kolona të gjata protestuesish që vijojnë të lëvizin në rrugët e kryeqytetit edhe pas disa orësh mobilizim.

Mbështetja për protestën është shfaqur edhe nga qytetarë që nuk kanë qenë pjesë e saj. Në shumë raste drejtues automjetesh kanë përdorur boritë e makinave për të përshëndetur marshimin, ndërsa të tjerë janë bashkuar spontanisht me turmën përgjatë rrugës.

Të rinj, studentë, familje me fëmijë dhe qytetarë të moshave të ndryshme kanë qenë pjesë e protestës, e cila në ditën e nëntë po shfaq jo vetëm qëndrueshmëri, por edhe pjesëmarrje në rritje.

Ndërsa marshimi vazhdon në rrugët e Tiranës, protestuesit deklarojnë se zemërimi i tyre lidhet me korrupsionin, keqqeverisjen, largimin e të rinjve dhe mungesën e perspektivës në vend. Pas afro pesë orësh protestë, mesazhi që vjen nga rrugët e kryeqytetit mbetet i njëjtë: kërkesa për ndryshim politik dhe për një Shqipëri ndryshe.

protesta marshim

Lini një Përgjigje