TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet16 Qershor 2026, 17:51

Aksidenti në Ksamil, nxirret nga fundi i detit "jet car" që i mori jetën 22-vjeçarit; polica largon nga bregu mjetet lundruese

Shkruar nga Pamfleti
Aksidenti në Ksamil, nxirret nga fundi i detit "jet car" që
Mjeti duke u nxjerrë nga deti

Një ditë pas aksidentit tragjik në Gjirin e Ksamilit, ku humbi jetën 22-vjeçari Albion Kreçi, është nxjerrë nga deti mjeti lundrues tip "jet car" me të cilin po udhëtonte i riu në momentin e përplasjes me skafin e Policisë Kufitare të Sarandës.

Operacioni u zhvillua mesditën e kësaj të marte nga specialistë të Drejtorisë së Policisë Kufitare Vlorë, të cilët me ndihmën e një vinçi bënë të mundur nxjerrjen e mjetit nga një thellësi prej rreth 34 metrash, ku kishte përfunduar pas aksidentit.

Sipas të dhënave paraprake, pas përplasjes me skafin e Policisë Kufitare, mjeti lundrues u dëmtua rëndë, u ça dhe më pas u fundos në det.

Ngjarja e rëndë ndodhi një ditë më parë në ujërat e Gjirit të Ksamilit. Sipas informacioneve zyrtare, skafi i Policisë Kufitare të Sarandës ndodhej i ndaluar rreth 400 metra larg vijës bregdetare, në monitorim të hapësirës detare, kur ndodhi përplasja fatale.

Pas nxjerrjes nga deti, "jet car"-i është transportuar në vendbazimin e mjeteve të bllokuara në Ksamil, ku do të ruhet si provë materiale për hetimin e ngjarjes. Ekspertët pritet të kryejnë verifikime teknike për të përcaktuar me saktësi rrethanat e aksidentit dhe përgjegjësitë përkatëse.

Ndërkohë, pas ngjarjes tragjike, Policia Kufitare ka shtuar kontrollet në hapësirën detare. Gjatë ditës së sotme janë bllokuar tetë mjete lundruese, shtatë në Ksamil dhe një në Sarandë, të cilat janë transportuar në portin e Sarandës për verifikime të mëtejshme.

Hetimet për aksidentin që i mori jetën 22-vjeçarit vijojnë, ndërsa autoritetet po analizojnë të gjitha provat dhe dëshmitë për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes.

aksident ksamil

Lini një Përgjigje