Isa Aliu, i denoncuar prej kohësh nga Pamfleti si personazhi që investonte milionat e drogës në ndërtim dhe turizëm, rezulton në qendër të skemës së pastrimit të parave të zbuluar nga SPAK.
Ajo që prej muajsh ishte denoncuar publikisht nga “Pamfleti” për investime të dyshimta në resorte turistike, vila luksoze dhe projekte ndërtimi me vlera marramendëse, tashmë është pjesë e një prej dosjeve më të mëdha të SPAK për trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe pastrimin e parave.
Prokuroria e Posaçme njoftoi se ka goditur një grup kriminal që gjatë viteve 2019-2021 dyshohet se ka trafikuar të paktën 50 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian. Në qendër të skemës së pastrimit të parave del emri i Isa Aliut, i cili ka luajtur rol kyç në kanalizimin dhe integrimin e fitimeve të drogës në ekonominë shqiptare. Ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Sipas hetimeve, një pjesë e konsiderueshme e parave të përfituara nga trafiku i kokainës janë sjellë në Shqipëri në formë cash, duke shmangur sistemin bankar. Më pas ato janë investuar në pasuri të paluajtshme, kompani ndërtimi, hoteleri, konsulencë dhe aktivitete të tjera tregtare.
Hetimet kanë zbuluar se gjatë muajve maj-qershor 2021, Isa Aliu ka orientuar kalimin e fondeve në llogaritë e kompanisë “Aliu Road House”, me qëllim justifikimin e investimeve të ardhshme. Sipas SPAK, kompania është përdorur fillimisht si nënkontraktore në ndërtim banesash për të krijuar mbulim ligjor ndaj flukseve të mëdha të parave cash dhe zgjerimit në sektorin e ndërtimit.
Prokuroria përshkruan një mekanizëm kompleks pastrimi parash, ku përmes blerjeve fiktive të kuotave të kompanive me çmime shumë më të ulëta se vlera reale, grupi arrinte të merrte kontrollin e shoqërive tregtare me kosto minimale. Fondet qarkullonin përmes huave mes personave fizikë dhe kompanive të lidhura, duke krijuar një histori ekonomike artificiale dhe duke humbur gjurmët e origjinës kriminale të parave.
Në dosje përmenden gjithashtu Dritan Gjika, Denis Matoshi (Eldi Dizdari), Nikoll Bibaj, Sokol Bibaj, Florjan Musaj, Armando Pacani, Naldi Yzeiraj, Oklid Aliu dhe Shpëtim Aliu, për të cilët GJKKO ka caktuar masa sigurie "arrest me burg".
"Pamfleti" ka denoncuar i pari se edhe pse me kapital 1 mijë euro, kompania e Isa Aliut nga Elbasani, nën hundën e Prokurorisë, Krimit Ekonomik dhe Drejtorisë për Parandalimin e Pastrimit të Parave, ka investuar dhjetëra milionë euro para të pista në kompleks vilash dhe resort në Gjirin e Lalzit, port luksoz jahtesh, rezidenca në Hamallaj, pallate në Selitë etj., pra qindra mijëra m² ndërtim.
Sot SPAK ka sekuestruar kompaninë “Aliu Road House” dhe shumë investime të tjera, duke konfirmuar atë që tha Pamfletit por dhe duke dhwnë një dëshmi të fortë se SPAK tani po hyn te sistemi i ndërtimit dhe pritet të ketë goditje të bujshme.
Sipas SPAK, katër shoqëri rezultojnë në zotërim të Isa Aliu Aliu Road House me seli në disa qytete, Green Invest në Tiranë e Fier (50% të kuotave), Seavieu Development me seli në Hamallaj dhe A.R.H Security në Tiranë e Elbasan. Të katërta janë sekuestruar.
Po ashtu është sekuestrouar një pjesë e kompleksit multifunksional turistik rezidencial dhe komercial (Porto Lalzi / Lalzi Marina Seaside) në Hamallaj, Gjiri I Lalzit, sipas marrëveshjes mes shoqërisë Sviluppo Mare 1 dhe shoqërisë Aliu Road House; si dhe të gjitha të drejtat reale për pasuritë e paluajtshme që përftohen nga subjektet Seaview Development, dhe Aliu Road House nëpërmjet aktit notarial kryerje punomesh për ndërtimin e hotelit Zig-zag me 5 yje mbi 200 dhoma, në Jalë Himarë, për të cilën shoqëria Narvalno Group, shpk ka marrë përsipër bashkëfinancim në masën 40 për qind dhe nxjerrjen e lejes së ndërtimit nga AZHT. /Pamfleti
Lini një Përgjigje