Drejtori i Policisë së Shtetit takoi Edison Adrin në Spitalin e Traumës dhe rikonfirmoi vijimin e aksioneve kundër krimit të organizuar.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita ka zhvilluar një vizitë në Spitalin Universitar të Traumës për të takuar efektivin Edison Adri, i cili mbeti i plagosur gjatë operacionit të 4 qershorit në zonën e Malit të Bodecit, në Maliq.
Në vizitë ishte e pranishme edhe drejtoresha e Spitalit të Traumës, Edlira Bode. Hita i uroi punonjësit të policisë rikuperim të shpejtë dhe i përcolli mbështetjen e institucionit për gjendjen e tij shëndetësore.
Operacioni ku u plagos Adri kishte si objektiv kapjen e një personi të konsideruar me rrezikshmëri të lartë. Gjatë ndërhyrjes humbi jetën në krye të detyrës efektivi Enea Mekolli, i shpallur më pas Dëshmor i Atdheut.
Hita theksoi se Policia do të vijojë me profesionalizëm luftën për garantimin e sigurisë së qytetarëve, teksa shtoi se Policia s’do të tërhiqet asnjë hap përballë krimit.
"Erdha sot këtu për të të shtrënguar dorën, Edison, për të të uruar shërim sa më të shpejtë dhe për të të shprehur mirënjohjen më të thellë për guximin, përkushtimin dhe trimërinë e jashtëzakonshme që tregove gjatë përballjes me rrezikun.
Humbja e kolegut tonë të shtrenjtë, Enea Mekolli, i cili ra në krye të detyrës dhe sot është Dëshmor i Atdheut, është një dhimbje e madhe për të gjithë familjen e Policisë së Shtetit. Fatmirësisht, ti i mbijetove sulmit me armë dhe sot je mes nesh, duke na dhënë forcë dhe shpresë. Mbështetja jonë, por edhe e qytetarëve që respektojnë ligjin dhe duan rendin dhe sigurinë, do të jetë e palëkundur për ty dhe për familjen e Eneas.
Dua t’i garantoj të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit që shërbejnë çdo ditë me integritet dhe sakrificë, se do të kenë gjithmonë mbështetjen time të plotë, në çdo kohë dhe përballë çdo sfide. Qytetarëve iu garantoj se, pavarësisht rrezikut dhe kostove njerëzore që kjo luftë mund të sjellë, ne nuk do të tërhiqemi asnjë hap përballë krimit. Do të vazhdojmë të jemi në vijën e parë, me vendosmëri, profesionalizëm dhe dinjitet, për të luftuar krimin dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve", tha kryepolici Hita.
Ndërkohë efektivi që mbeti i plagosur, Edison Adri, teksa falënderoi Hitën për vizitën, theksoi se Policia e Shtetit janë të gjithë bashkë në luftën kundër krimit të organizuar.
“Faleminderit shumë z. Drejtor! Interesimi, përkujdesja dhe ardhja juaj përsëri sot këtu tregojnë shumë dhe janë një shpresë e madhe për mua dhe për të gjithë Policinë. Jemi të gjithë bashkë në luftën kundër krimit dhe në shërbim të qytetarëve. Mirënjohje për ju z. Drejtor, për Ministrinë e Punëve të Brendshme, si dhe për të gjithë stafin mjekësor për gjithçka kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë për mua”, tha punonjësi i Policisë Edison Adri.
Lini një Përgjigje