
Eksperti i sigurisë Fatjon Softa, tha se problematika e aksidenteve rrugore nuk është vetëm një çështje statistikash, por një pasqyrë e mangësive të thella në mënyrën se si menaxhohet trafiku dhe siguria rrugore në vendin tonë.
Sipas tij, ndonëse shpeshherë media dhe institucionet e drejtësisë i kushtojnë vëmendje rasteve të rënda, sidomos në periudha të caktuara të vitit kur shifrat rriten ndjeshëm, mungon një qasje e mirëfilltë parandaluese dhe strategjike për të adresuar këto problematika në rrënjë.
Softa theksoi se prokuroria, në shumicën e rasteve, analizon pasojat, ndjek penalisht përgjegjësit dhe i referon faktorët që çuan në aksidente, por mungon angazhimi institucional për të ndërmarrë hapa konkretë që do të minimizonin në mënyrë të qëndrueshme ngjarje të tilla.
Ai u shpreh gjithashtu se mbi 80% e aksidenteve ndodhin si pasojë e drejtimit të gabuar nga ana e drejtuesve të mjeteve, por faktorët dytësorë si infrastruktura e amortizuar, mungesa e ndriçimit, sinjalistika e papërshtatshme, përdorimi i lëndëve narkotike dhe kontrolli i dobët i trafikut luajnë një rol po aq të rëndësishëm.
"Shpesh-herë, ju media i keni paralajmëruar për raste të shtuara të aksidenteve që ndodhin në periudha të caktuara të vitit ku faktorët normalisht analizohen, kur prokuroria i analizon, nis e nxjerr përgjegjësinë, por jo vetëm aq, por duhet edhe t'i parandalosh ngjarje të tilla.
Në statistika, numri më i madh i aksidenteve vjen për drejtim të gabuar të drejtuesit të mjetit, në 80% të rasteve, por patjetër ka edhe arsye të tjera si: infrastruktura, gjendja e automjeteve, përdorimi i lëndëve narkotike, si dhe kontrolli i trafikut dhe mënyra se si ne e menaxhojmë atë.
P.sh. vazhdojmë të jemi ende me metoda tradicionale, o kemi marrë disa makina inteligjente e vetëm kur hyjmë në E-Albania shohim se kemi gjobë, e cila nuk e parandalon këtë gjë, ajo është vetëm një gjobëvënie. E rastet e punonjësve të policisë që rrinë pas makinave në autostradë duke rrezikuar dhe jetën e tyre për të kapur këta individë që kalojnë normat e shpejtësisë.
Unë vazhdoj ta them se autostradat kanë nevojë për një sistem linear me kamera me paralajmërim, duke i dhënë sipas shpejtësisë së rrugës nga 250-150 m paralajmërim, duke ju thënë se je nën vëzhgim kamerash, e duhet të jetë një tutor i shpejtësisë që e detyron të ndjejë peshën e shpejtësisë apo heqjes së lejes së drejtimit.
E dyta është infrastruktura, rrugët nacionale lejojnë lëvizjet masive, por dhe të shpejtësisë së mjeteve deri diku, ama duhet të jenë të ndriçuara, dhe në raste kur nuk ka ndriçim duhet përparuar tabelat si dhe vijat fosforeshente, por në shumë raste ka akse rrugësh që nuk i kanë sipas normave këto.
Ky është problem, nëse boja nuk është fosforeshente për shkak të shiut dhe bojës së dobët, këto bëhen si burim aksidenti e kjo ndikon edhe te kultura e një drejtuesi mjeti", tha Softa për “Syri Tv”.
Lini një Përgjigje