
Pas urdhrit të Edi Ramës, një aksion ka nisur nga autoritetet vendore në Vlorë, për lirimin e hapësirave publike.
Ky aksion ka vënë në alarm dhjetëra biznese përgjatë Lungomares, një nga zonat më të frekuentuara turistike të bregdetit jugor. Operacioni synon heqjen e të gjitha objekteve në hapësirat publike, por ka ngjallur reagime të forta nga sipërmarrësit lokalë, të cilët thonë se janë kapur në befasi dhe në momentin më të keq të mundshëm.
“Si mund të na shembësh kur është muaji më i rëndësishëm i vitit për ne?”, shprehet një prej biznesmenëve. Ai shton se aksioni duhej të ishte ndërmarrë ose para zgjedhjeve, ose pas përfundimit të sezonit, për të mos cënuar rëndë të ardhurat jetike të operatorëve turistikë.
Një tjetër qytetar, i rikthyer nga jashtë për të hapur një biznes në Lungomare, rrëfen me zhgënjim: “Kam një muaj që e kam hapur lokalin. Investova gjithçka. Është viti im i parë këtu, u ktheva me shumë dëshirë, por tani po mendoj të iki përsëri. Nuk mund të goditesh kështu pa paralajmërim, në emër të një aksioni që mund të bëhej më vonë.”
Zërat e shqetësimit nuk ndalen me kaq. Të gjithë qytetarët dhe sipërmarrësit lokalë janë të një mendjeje: zbatimi i ligjit është i domosdoshëm, por jo në këtë periudhë. Sipas tyre, ky veprim jo vetëm që i çon drejt falimentimit, por dëmton rëndë imazhin e Vlorës përballë mijëra turistëve që kanë nisur të zbresin në bregdet.
“Të na japin kohë, të shtyhet për pas sezonit. Askush nuk po kërkon të shkelë ligjin, por kërkojmë të trajtohemi si njerëz që punojmë dhe mbajmë familjet me këtë punë”, apelon një tjetër qytetar.
Lini një Përgjigje