TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 8 Korrik 2025, 14:47

''Shqipëria po bëhet laboratori i censurës në Europë”; alarmi nga mediat perëndimore pas ndalimit të TikTok

Shkruar nga Pamfleti

Shqipëria ndalon TikTok-un për 12 muaj; ekspertë gjermanë paralajmërojnë: Rama po teston censurën dixhitale me teknologji që përdoret nga regjime autoritare

''Shqipëria po bëhet laboratori i censurës në

*Testlabor Shqipëria: Një vend pa TikTok

Shqipëria është bërë në mars 2025 shteti i parë në Europë që ndalon plotësisht TikTok-un për një periudhë 12-mujore. Shkak u bë një vrasje në një shkollë, disa muaj më parë. Ajo që në pamje të parë duket si një masë për mbrojtjen e fëmijëve, ka në sfond edhe pasoja shqetësuese për demokracinë. A është ndalimi i TikTok-ut vërtet për mbrojtjen e të rinjve? Apo është një mjet pushteti për të kontrolluar hapësirën digjitale dhe publikun online?

Aplikacioni i videove të shkurtra “TikTok”, me origjinë kineze, është një nga rrjetet sociale më të përdorura në botë. Mbi 1.6 miliardë përdorues, kryesisht të rinj, janë aktivë në platformë. Por aty nuk qarkullojnë vetëm video me kërcime dhe mace, shpërndahen gjithashtu përmbajtje problematike: bullizëm, urrejtje, ekstremizëm fetar.

Demokracitë perëndimore e trajtojnë TikTok-un me kujdes të tepruar. Në Austri, aplikacioni është i ndaluar në telefonat e zyrtarëve shtetërorë dhe të punonjësve të ministrive. SHBA ka kërkuar që kompania mëmë kineze “ByteDance” të shesë degën e saj amerikane.

Fokusi: Shqipëria

Në nëntor 2024, një 14-vjeçar u vra me thikë nga një bashkëmoshatar në një shkollë në Tiranë. Vrasja shërbeu si katalizator për ndalimin e TikTok-ut në Shqipëri – por çfarë ndodhi në të vërtetë?

Gazetarja Franziska Tschinderle takoi prindërit e viktimës, Martin Canit, një emër tashmë i njohur për të gjithë vendin. Por rrethanat e ngjarjes mbeten të paqarta. Sidomos fakti që Martin nuk kishte TikTok fare. Ai preferonte të kalonte kohën në fushën e futbollit, jo në rrjete sociale.

Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë dhe iniciatori i ndalimit, është tipi i politikanit që do të shkëlqente vetë në TikTok. Askush në Ballkan nuk përdor rrjetet sociale më me mjeshtëri se ish-basketbollisti dhe artisti i diplomuar. Ai shkëputet qartë nga figura klasike e shtetarëve.

Në fushata shfaqet me tuta sportive dhe atlete të bardha. Ka një podcast personal dhe del live në Facebook dy herë në javë për të diskutuar me ndjekësit. Atëherë, pse e ndalon një platformë nga e cila do të përfitonte vetë?

Mbrojtje për të rinjtë apo cenzurë?

Opozita shqiptare thotë se e ka përgjigjen: censurë, dhe pikërisht në prag të zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën më 11 maj 2025.

Në mars 2025, një ekspert i sigurisë kibernetike, Besmir Semanaj, i cili ka punuar për operatorin më të madh të telekomunikacionit në Shqipëri dhe aktualisht jeton në Vjenë, publikoi një deklaratë në Facebook. Ai zbuloi se qeveria shqiptare kishte implementuar një sistem të quajtur “Deep Packet Inspection” (DPI),një metodë teknike që lejon filtrimin e të dhënave të internetit.

Autoritetet shqiptare këmbëngulin se DPI përdoret vetëm për bllokimin e TikTok-ut. Por ekspertë ndërkombëtarë ngrejnë pikëpyetje të forta. DPI përdoret prej vitesh nga shtete autoritare si Turqia për të censuruar internetin apo për ta ngadalësuar atë gjatë protestave.

Rezultati politik

Nga kjo masë duket se ka përfituar politikisht Edi Rama, i cili fitoi zgjedhjet e 11 majit me shumicë absolute. Nga Bashkimi Europian nuk ka pasur asnjë reagim kritik për ndalimin e debatueshëm. Protesta masive? Asnjë.

Tre skenarë për të ardhmen

Ndërsa opinioni publik është zhvendosur drejt çështjeve të tjera, gazetarja Tschinderle përmbyll raportimin e saj me tre skenarë të mundshëm për këtë ndalim:

Skenari më i mirë: ishte thjesht një manovër PR, dhe ndalimi i TikTok-ut do të hiqet së shpejti.

Skenari i mesëm: përdorimi i DPI mbetet, dhe përdoret herë pas here për qëllime selektive.

Skenari më i keq: një vend kandidat për në BE sapo ka siguruar një mjet të fuqishëm kontrolli – dhe askush nuk mund t’ia heqë më.

Përgatitja: Franziska Tschinderle
Redaksia & Prodhimi: Sarah Kriesche
Një prodhim i redaksive të Ö1: matrix dhe Radiokolleg, në bashkëprodhim me ORF SOUND 2025.

tik tok rama

Lini një Përgjigje