Aktualitet29 Shtator 2023, 10:12

"100 mijë lekë pazari i fundit"/ Akuzat për blerje votash në 14 Maj, SPAK çon për gjykim Kristo Agalliun dhe Agron Durajn

Shkruar nga Pamfleti

"100 mijë lekë pazari i fundit"/ Akuzat për blerje

Prokuroria e Posaçme, ka dërguar për gjykim Kristo Agalliun dhe Agron Duraj të dy të akuzuar për “Korrupsioni aktiv në zgjedhje".

Njoftimi i SPAK:

Në përfundim të hetimeve paraprake të procedimit penal nr.96 të vitit 2023, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (në datën 27.09.2023) kërkesën për gjykim në ngarkim të pandehurve:

1. Kristo Agalliu, akuzuar për veprën penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.
2. Agron Duraj, akuzuar për veprën penale të “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal.

Nga hetimi i këtij procedimi penal ka rezultuar se, në datën 09 Maj 2023, i pandehuri Kristo Agalliu i ka ofruar shuma monetare të pandehurit Agron Duraj për të ndikuar në vullnetin e këtij të fundit, në mënyrë që të votojë një kandidat të caktuar në Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore, që janë zhvilluar datën 14 Maj 2023.

52-vjeçari Kristo Agalliu banues në Tiranë u vu në pranga më 10 maj dhe Agron Duraj, 61 vjeç,  u vu nën hetim pas publikimit të një videoje ku komunikonin për shit-blerje votash.

“100 mijë lekë është turp. Ja marrim por është turp 100 mijë lekë. Ti 2 vota ke, unë kam 4 vota. Po mirë unë kam makinë vetë, ç’e dua makinën atje. Të më hedhë karburantin ai. E ul pazarin nga e keqja. 100 mijë lekë dhe 50 mijë lekë naftë. Pazari i fundit”, dëgjohet teksa thotë Duraj-Agalliut në videon e bërë publike nga mediat.