Aktualitet 4 Mars 2024, 20:06

Apeli rihap dosjen për vrasjen e Pjerin Xhuvanit/ Ekspertim shkencor për mënyrën si ndodhi krimi, në skaner edhe emra të tjerë

Shkruar nga Pamfleti
Apeli rihap dosjen për vrasjen e Pjerin Xhuvanit/ Ekspertim shkencor
Vrasja e Pjerin Xhuvanit

Do të kërkohet informacion në lidhje me hetimet që po kryhen për identifikimin e personave të tjerë që ishin në vendngjarje...

Gjykata e Apelit ka vendosur të rihapë shqyrtimin gjyqësor për vrasjen e Pjerin Xhuvanit.

Gjykata ka pranuar kërkesën e Arbër Paplekajt për kryerjen e një ekspertimi kriminalistik lidhur me vrasjen në Elbasan pak ditë para zgjedhjeve, për të parë se kush qëlloi tjetër. Paplekaj akuzohet se vrau Pjerin Xhuvanin në 21 prill 2021 pas një konflikti për blerje votash.

Gjithashtu, Apeli ka vendosur të marrë informacion në lidhje me dy shtetasit, të cilët akuzohen për “Dëshmi të rreme”, kryer në gjykimin e zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan si dhe të merret informacion mbi vijimin e procedimit penal të pezulluar për personat, që kanë qëlluar me armë zjarri në vendngjarje.

Gjithashtu, do të kërkohet informacion në lidhje me hetimet që po kryhen për identifikimin e personave të tjerë që ishin në vendngjarje. Në këtë mënyrë, Apeli vendos të rihape shqyrtimin gjyqësor dhe të marrë disa prova të tjera.

Paplekaj i është drejtuar disa herë gjykatës, duke kërkuar riekspertim të vrasjes pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit të vitit 2021.

Gjykata e Elbasanit ka shpallur fajtor ish-efektivin e repartit RENEA, Arbër Paplekaj, duke e dënuar me 22 vite burgim për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese, dënim i cili bie pas rihapjes së procesit.

Seanca e radhës do të zhvillohet në 18 mars ora 13:30.

Detajet e ngjarjes

Kujtojmë se ngjarja e bujshme në Elbasan ndodhi 4 ditë përpara zgjedhjeve parlamentare të prillit 2021, ku u vra Pjerin Xhuvani, një eksponent i fuqishëm lokal i lidhur me Partinë Socialiste, i cili ishte i përfshirë direkt në fushatën e PS në këtë qytet. 

Pjerin Xhuvani mbeti i vrarë në Elbasan pasi u qëllua me armë nga Arbër Paplekaj, shoqëruesi i kreut të listës së Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

Nga ngjarja e 21 prillit, të plagosur mbetën edhe katër persona të tjerë, Emiljan Prenga, Pavlo Vuksani, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota (punonjëse e policisë). Paplekaj pranoi krimin dhe u vetëdorëzua në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë duke thënë se qëlloi për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga persona që sipas tij po blinin vota.

Ngjarja zbuloi edhe skandalin e PD-së për ngritjen e një grupi të armatosur, të vetëshpallur Struktura për Mbrojtjen e Votës, ku një pjesë e mirë e anëtarëve të së cilës rezultuan persona të njohur edhe për strukturat ligjzbatuese në vend.

Përplasja me armë ndodhi për shkak të zgjedhjeve. Struktura e Mbrojtjes së votës e ngritur nga PD pretendonte se makina e shtabit të PS-së është kapur duke shpërndarë para në këmbim të votës. Pas konstatimit të makinës, është thirrur edhe policia.

Në vendin e ngjarjes mbërriti më pas nëndrejtori i Policisë së Elbasanit, Abert Nushi dhe disa efektivë të Shqiponjave. Pas mbërritjes së policisë, në vendngjarje erdhi edhe një automjet me simpatizantë të PS-së.

Në këtë moment ka nisur edhe shkëmbimi i zjarrit mes palëve. Pak minuta pas ngjarjes u vetëdorëzua në polici ish-efektivi i RENEA-s Arbër Paplekaj, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë ndaj Xhuvanit gjatë shkëmbimit të zjarrit. Ky i fundit ka thënë vazhdimisht se ka qëlluar për vetëmbrojtje.