Aktualitet 4 Mars 2024, 18:36

Baza e Kuçovës, Artan Hoxha: Dikur kishim 187 aeroplanë sulmi, sot mburremi me 3 dronë turq

Shkruar nga Pamfleti

Baza e Kuçovës, Artan Hoxha: Dikur kishim 187 aeroplanë sulmi,

Gazetari Artan Hoxha ka reaguar mbi inaugurimin e bazës së Kuçovës. Ai shprehet se dikur vendi ynë ka pasur një ekip me 187 aeroplanë sulmi të tipit, MIG 17, MIG 19 dhe MIG 21, të cilët janë “asgjësuar”. Sot Shqipëri ka përfunduar vetëm me 3 dronë ‘Bayraktar’. Po ashtu ai ka ironizuar duke thënë se baza e Kuçovës vetëm sa është asfaltuar.

Postimi i plotë

Në bazën ajrore të Kuçovës, mbi një avion luftarak MIG 19-të, të Forcës Ajrore të Ushtrisë së Republikës së Shqipërisë.

Eh, ishin kohëra të tjera.

Ishte shekull tjetër, shekulli i 20-të.

MIG-19 është një tip avioni sulmi, i futur në shërbim nga FA të Shqipërisë, në vitin 1962. Ishte avioni kryesor luftarak i Ushtrisë Shqiptare për 43 vite me radhë.

Ushtria Shqiptare dispononte 75 avionë sulmi të tipit MIG 19-të.

Duke pasur numër të madh avionësh MIG 19, skuadrilje avionësh sulmi të këtij lloji, ishin shpërndarë në tre bazat ushtarake ajrore të Kuçovës, të Gjadrit dhe të Rinasit.

Nga viti 2005, Shqipëria e nxorri nga shërbimi të gjithë flotën ajrore të avionëve luftarakë të përbërë nga 187 aeroplane sulmi të tipit, MIG 17, MIG 19 dhe MIG 21...

Prej vitit 2005, Shqipëria disponon vetëm një flote të kufizuar helikopterësh transporti...

Ndërsa sot, 4 mars 2024, u zhvillua gjithë ajo ceremoni e madhe, pasi Shqipëria, më në fund ka vetëm 3 dronë Bayraktar….

Dikur kishim një flotë të tërë me 187 avionë sulmi dhe 3 baza ajrore, tani riveshëm me asfalt pistën e bazës ajrore te Kuçovës dhe sapo morëm 3 dronë…

Foto: Mbi një avion luftarak MIG - 19 te Ushtrisë Shqiptare, maj 1998.