Çyrbja i jepte informacione, Altin Hajri i siguronte vota për t’u zgjedhur deputet
Prokuroria e Posaçme ka dhënë detaje të hollësishme mbi akuzat që rëndojnë ndaj ish-deputetit të Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja.
Sipas SPAK, në këmbim të votave në zonë, Çyrbja i siguronte Altin Hajrit, person i shpallur në kërkim, informacione për të shmangur kapjen e tij.
Për shkak të miqësisë që të dy kanë pasur, ish-deputeti socialist ka shfrytëzuar pozitën e tij si deputet ka ndërhyrë agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit në Shqipëri për të favorizuar Hajrin, apo edhe kunatin e tij, i cili ka gjithashtu precedentë kriminalë.
Madje, Çyrbja e ka fshehur Hajrin edhe në banesën e tij në kohën kur ishte shpallur në kërkim nga Policia.
Ai është interesuar në polici, në Interpol Tirana dhe është vënë në dijeni për masën e sigurisë që ka dal nga GJKKO ndaj Hajrit, për të vënë në dijeni këtë të fundit.
Pas kësaj, Çyrbja e ka informuar Hajrin edhe për operacionet e policisë që do zhvilloheshin për kapjen e tij, në kuadër të rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës.
Urdhër arresti u lëshua nga prokurori Adnan Xholi ndërsa verifikimi i masës së sigurisë do të bëhet të martën në orën 10.00.
Ndërkaq Prokuroria e Posaçme ka zbardhur dhe akuzat e plota ndaj Jurgi Çyrbjes, Altin Hajrit dhe Ahmet Mashës.
Çyrbja dhe Masha kanë kanë zbuluar akte të cilat ligji i përcakton si sekret shtetëror në më shumë se 7 raste. Këto informacione më pas u janë dhënë përmes aplikacionit Sky ECC personave të shpallur në kërkim nga Policia. Dyshohet po ashtu se Çyrbja pasi vihej në dijeni për operacione policore e kontrolle në Durrës, çonte informacion te personat në kërkim.
Çfarë është “Certifikata e sigurimit të personelit”?
CSP, është dokumenti zyrtar i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ose i një autoriteti kompetent të sigurisë së një vendi tjetër i cili vërteton nga pikëpamja e sigurisë se një individ i plotëson kushtet e përcaktuara për njohjen, ruajtjen, administrimin dhe transferimin e informacionit të klasifikuar.
Pa këtë dokument, asnjë person, edhe pse deputet, nuk lejohet që të marrë pjesë në mbedhjet e Komisionit, që hera-herës me dyer të mbyllura diskuton çështje shumë të rëndësishme për vendin.
Një sekret të tillë, Çyrbja e ka shitur dhe për këtë vepër, sipas Kodit Penal të Shqipërisë, rrezikon dënimin me gjobë ose me burg deri në 10 vite.
Nga të tre akuzat e SPAK, kjo është më e rënda.
Lini një Përgjigje