Aktualitet31 Tetor 2023, 07:07

Artan Hoxha publikon videon: Zv.ministri i jashtëm grek vendos lule te varri i Kacifas, karshillëk i hapur ndaj Shqipërisë

Shkruar nga Pamfleti

Artan Hoxha publikon videon: Zv.ministri i jashtëm grek vendos lule te

Artan Hoxha publikoi videon e homazheve të zv/ministrit të Jashtëm të Greqisë, Jorgos Kociras, dy ditë më parë në varrezat e fshatit Bularat, në Dropull, kur vendosi një tufë me lule në varrin e Kostandin Kacifas, terroristit që qëlloi 5 vite më parë ndaj policisë shqiptare dhe mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit.

I ftuar në emisonin “Të Paekspozuarit”, Hoxha fajësoi shtetin shqiptar që lejon një ceremoni të tillë, duke cenuar ligjet, ndjenjat kombëtare, me një ceremoni që nderon një terrorist që sulmoi mbi policinë, njësoj si serbët në Banjskë të Kosovës, një muaj më parë.

Biseda në studio

Artan Hoxha: Zv.ministri i jashtëm grek ka ardhur zyrtarisht në territorin shqiptar për të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare që zhvillohen në manastirin e Grykës së Këlcyrës.

Ylli Rakipi: Zv/ministri i jashtëm grek vë një tufë me lule te varri i Kacifas

Artan Hoxha: Po, po, te varri.

Ylli Rakipi: Dhe ne themi pse serbët mbajnë tre ditë zi për serbët e vrarë në Kosovë.

Artan Hoxha: Kjo video është një denoncim, jo më për autoritetet greke, por për shtetin shqiptar. Ceremonia zhvillohet në manastirin e grykës së Këlcyrës dhe në varrezat e ushtarëve grekë në Bularat. Zv.ministri i Jashtëm grek, Jorgos Kociras, që erdhi të nesërmen e ceremonisë së Ramës, është te varrezat e fshatit Bularat dhe te varri i Kostandin Kacifas, një personi që hapi zjarr mbi policinë shqiptare, me një kallashnikov të modifikuar me optikë ruse dhe qëlloi me blindëshpues mbi partullën e policisë së Dropullit. I shpëtoi Zoti.

Pra ky bëri të njëjtën gjë që bënë ata terroristët serbë që hynë në Banjskë. Të vish nga Greqia dhe në vend që të merresh me ceremoninë zyrtare që ka lejuar shteti, në territorin e tyre lejojnë që të bëhet një ceremoni e tillë, një karshillëk i hapur ndaj shtetit shqiptar, ndaj ndjenjave kombëtare, madje ndaj minoritetit grek, sepse shfrytëzohet një festë kombëtare greke për t’u marrë me një axhendë private. Kostandin Kacifas gjeti vdekjen në një shkëmbim zjarri me forcat e policisë shqiptare dhe ka qëlluar ai. I kam nxjerrë pamjet atëherë. Sheshi i Bularatit ishte i mbushur me flamuj grekë, ai ishte i veshur me uniformën e forcave speciale greke. Kur është arrestuar në Greqi për trafik droge, thanë se është trafikant shqiptar, dhe kur u vra në Shqipëri, se kishte edhe shtetësinë shqiptare dhe greke, ai sot është martir. Vangjel Dule ka mbajtur një fjalim aty.

Ylli Rakipi: Ku, në atë vend?

Artan Hoxha: Po, më datë 28 tetor. Dhe thotë se kemi ardhur këtu në 5 vjetorin e rënies së yllit të Vorio Epirit.

artan hoxha video kacifas shqiperi