Aktualitet30 Tetor 2023, 22:56

"Mark Frroku përfaqësonte interesat e Kishës”, Artan Hoxha shpjegon sherrin për tokën te Kepi i Rodonit

Shkruar nga Pamfleti

"Mark Frroku përfaqësonte interesat e Kishës”, Artan

Gazetari Artan Hoxha ka dhënë detaje lidhur me përleshjen me shkopinj, ku u shkrep edhe një armë, në Kepin e Rodonit.

Në një intervistë për emisionin "Të Paekspozuarit" Hoxha tha se konflikti është mes Kishës Françeskane dhe banorëve të zonës, të cilët pretendojnë pronësinë mbi një tokë të lakmuar.

Mes të arrestuarve është edhe Mark Frroku, ish deputet i Kuvendit, i cili pretendon se është përfaqësues i interesave të Kishës.

"Nuk di ndonjë pjesë të territorit të Shqipërisë, që të ketë perspektivë zhvillimi dhe të mos ketë përplasje të grupeve kriminale.  Kjo pronë, është gjithsej 5417 metra, por pozicioni i saj, ka dalje në det në krahun verior. Për këtë bëhet sherri. Pjesën tjetër e ka Kisha dhe e ka rrethuar, kjo toka është jashtë traut. Te kjo tokë që bëhet konflikti, banorët pretendojnë se e kanë marrë me 7501. Ndërkohë Kisha ka vendimin e Komisionit të Kthimit të Pronave dhe thotë është tokë e trashëguar e Kishës.

Kisha, për të kufizuar tokën, ka pajtuar ose angazhuar një kompani private. Kjo kompani private, është pronë e disa personave, besimtarë katolikë, përfaqësojnë komunitetin katolik. Në rastin konkret, kompania është AML grup. Tani është Mark Frroku dhe administratori është kushëriri i parë i Mark Frrokut, dyshohet se ky është personi që ka qëlluar me armë. Konflikti nuk ka nisur sot, ka vite që ndodh.

Para një muaj, ka vajtur policia dhe e ka lënë që derisa të vijë përgjigje nga Kadastra… Fshatarët pretendojnë se janë falsifikuar letrat në emër të Kishës dhe Kisha do t’ua shesë biznesmenëve për të ndërtuar resort. Kisha thotë e kemi marrë sipas ligjit. Para disa muajsh kanë shkuar të njëjtët njerëz për ta rrethuar. Prokuroria nuk e ka zgjidhur deri tani, as që ka të drejtë banorët dhe as që i takon Kishës Françeskane.

Pa u pritur përgjigje nga Kadastra, Kisha ka kontaktuar kompaninë dhe këta kanë ardhur për punime. Aty banorët e fshatit janë ngritur. Kjo duket si skenë e ngjashme me atë që ndodhi në Fushë Krujë.

Këtu është qëlluar edhe me pistoletë. Kërciti druri mes palëve dhe ka patur të plagosur. Janë arrestuar tetë vetë dhe është shpallur në kërkim një tjetër. Mark Frroku thotë kam qenë aty si përfaqësues i kompanisë që na ka thirrur Kisha. Problemi është që ky është konflikt i vjetër dhe duhet të ishte zgjidhur.

Mark Frroku krijoi parti që quhej “Partia Kristiandemokrate” dhe vjen nga zonë katolike. Është sponsor i Kishës dhe me sa duket Kisha e ka përdorur, për të hequr shpenzimet nga vetja. Ai thotë kam vajtur për të bërë rrethimin.

Policia ka arrestuar katër nga një palë dhe katër nga krahu tjetër. Mark Frrokun e ka çuar me katër akuza dhe do të dalë për masë sigurie. Akuzohet për kanosje, moskallëzim krimi, veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës dhe prishja e qetësisë. Njëri nga banorët është edhe për plagosje të rëndë. Goditjen me armë e ka bërë administratori i kompanisë, ka qëlluar në armë", tha Hoxha.

hoxha kepi rodonit