TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet24 Qershor 2026, 20:22

As stuhia nuk e ndal revoltën kundër Edi Ramës, me qindra qytetarë sfidojnë motin para Kryeministrisë

Shkruar nga Pamfleti
As stuhia nuk e ndal revoltën kundër Edi Ramës, me qindra
Pamje nga protesta

Stuhia godet Tiranën, por jo protestën; qytetarët mbeten para Kryeministrisë

Reshjet e dendura të shiut, bubullimat dhe vetëtimat që kanë përfshirë Tiranën gjatë mbrëmjes nuk i kanë ndalur protestuesit që prej 25 ditësh kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë.

Edhe pse të lagur nga shiu i rrëmbyeshëm, dhjetëra qytetarë vijojnë të qëndrojnë përpara godinës së Kryeministrisë, duke treguar se moti i keq nuk ka zbehur vendosmërinë e tyre. Mes reshjeve të forta vazhdojnë të dëgjohen thirrjet që tashmë janë bërë simbol i protestës: “Rama ik”, “Jep dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Shqipëri e re”.

Protesta e 25-të po zhvillohet në një klimë të veçantë, ku për herë të parë protestuesit po përballen me kushte të vështira atmosferike, por pa u tërhequr nga sheshi.

Mes folësve ishte edhe Gerti Sinani, i cili u prezantua si ish-ushtarak i Forcave Detare dhe pjesë e administratës publike. Në fjalën e tij ai artikuloi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe mënyrës së qeverisjes së vendit.

Rama ka paguar 1 miliard euro në Elysee, kështu vepronin tiranët e Afrikës, çonin pasuritë e vendeve të tyre për të shpëtuar”, deklaroi ai para protestuesve.

Sinani nuk kurseu kritikat as ndaj opozitës, duke akuzuar edhe ish-kryeministrin Sali Berisha për përçarjen e shqiptarëve. “Saliu ndau veriun me jugun, këtë popull të bekuar”, u shpreh ai.

Një tjetër moment i fortë i protestës ishte fjala e një qytetareje, e cila deklaroi se shqiptarët po përballen çdo ditë me vështirësi ekonomike, mungesë ilaçesh në spitale dhe kosto të papërballueshme për trajtimet mjekësore. Ajo theksoi se as presionet, as etiketimet dhe as moti i keq nuk do ta ndalin protestën.

Një shoqëri që nuk e ndali as presionet për vendin e punës, as etiketimet personale të zotit Rama, nuk e ndal as shiu. Sot po i thotë Europës: bëhuni me ne dhe jo me autokratin. A jetohet me një kryeministër autokrat, me oligarkë që ju marrin edhe malin dhe detin? Sistemit të drejtësisë i kërkojmë të shkojë deri në fund. Edhe trotuari merret për të bërë pallat e kulla. A jetohet siç jetojnë shqiptarët që duhet të hapësh GoFundMe ose të marrësh borxh sepse në spital nuk ka ilaçe?”, deklaroi protestuesja.

Pavarësisht motit të keq, protesta vijon para Kryeministrisë, ndërsa organizatorët kanë bërë të ditur se mobilizimi qytetar do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

 

protesta shi

Lini një Përgjigje