Aktualitet 1 Prill 2023, 14:11

Banorët e Lumasit në protestë kundër kryebashkiakut të PS në Kuçovë: Është i dënuar në Greqi, të shkarkohet menjëherë

Shkruar nga Pamfleti

Banorët e Lumasit në protestë kundër kryebashkiakut të

Banorët e Lumasit  në Kuçovë kanë protestuar sot kundër kryebashkiakut socialist Kreshnik Hajdari. Ata i kërkojnë KQZ-së çregjistrimin nga zgjedhjet e 14 Majit dhe shkarkimin e tij të menjëhershëm nga detyra.

Protesta e tyre e sotme vjen pas njohjes në media me dënimin e kryebashkiakit të Kuçovës Kreshnik Hajdarit në Greqi.

Banorët kanë kërkuar çregjistrimin si kandidat në zgjedhjet e 14 Majit të kandidatit të zgjedhur nga Rama për bashkinë e Kuçovës,Kreshnik Hajdari dhe shkarkimin e tij nga detyra aktuale e kryetarit.

Sipas banorëve, Hajdari nuk mund të kandidojë më në këtë bashki sepse ai ka shkelur Kodin Zgjedhor, duke gënjyer në formularin e dekriminalizimit, ku ka deklaruar se nuk ka qenë asnjëherë i dënuar jashtë vendit.

Banorët pohojnë se ata kanë mësuar në media se Hajdari ka qenë i dënuar nga Gjykata e Janinës në shtetin grek për "Kalim të paligjshëm të kufirit", dënim që se ka deklaruar asnjëherë.

Sipas banorëve, Hajdari ka shkelur haptazi Kodin Zgjedhor dhe KQZ duhet të marri masa të menjëhershme.

Banorët kanë shprehur edhe revoltën e tyre ndaj Ministrit të Brendshëm Blendi Çuçi, që në vend që të merrte masa të menjëhershme për shkarkimin e Hajdarit dhe proçedimin e tij, ai e prezantoi si kandidatin e Ramës në bashkinë e Kuçovës.

Banorët kanë hartuar edhe një peticion drejtuar KQZ-së, ku i parashtrojnë dy kërkesat e tyre për çregjistrim dhe shkarkim të menjëhershëm.

Peticioni ka filluar të firmoset menjëherë pas përfundimit të protestës dhe sipas banorëve do ti dorëzohet zyrtarisht KQZ-së ditën e martë, me grumbullimin e mbi 500 firmave të banorëve të gjithë komunitetit të bashkisë Kuçovë, siç edhe e parashikon Kodi Zgjedhor.

Kryebashkiaku socialist i Kuçovës, Kreshnik Hajdari rezulton i dënuar me gjobë nga drejtësia greke për kalim të paligjshëm të kufirit në vitin 1999.

Hajdari, mesa duket gjatë momenteve të vështira që po kalonte vendin, si shumë shqiptarë të tjerë ka tentuar të emigrojë ilegalisht në Greqi, por është kapur dhe dënuar nga gjykata në Janinë, në atë kohë së bashku me 18 persona të tjerë.

Mirëpo kur erdhi dita që ai të kthehej në atdhe, dhe të bëhej kryebashkiak i Partisë Socialiste për Kuçovën, rezulton se Hajdari nuk e ka deklaruar dënimin në Greqi.

kreshnik hajdari protestë