
Akademiku Artan Fuga, ka ironizuar premtimet e kryeministrit Edi Rama për dyfishim të pagave dhe për rroga mesatare 900 euro.
Akademiku Fuga u shpreh se sa më shumë elektorati përbuz politiken, aq më shumë politika shkon drejt çmendurisë duke premtuar gjëra që kurrë nuk i përmbush.
“Më 15 maj do të kemi rroga të dyfishuar. Se çfarë lidhje ka paga mesatare me zgjedhjet lokale, hajde e mere vesh ti. Ilaçet do t’i kemi falas. Ne do të na rriten rrogat në stratosferë dhe nuk do të kemi nevojë të harxhojmë para sepse gjithçka do ta kemi falas. Po çfarë i keni këto”, ka thënë ndër të tjera Fuga.
Fuga ishte i ftuar në takimin e Qëndresë Qytetare për zgjedhjet vendore të 14 Majit, ku nënvizoi se për t’i shpëtuar kësaj propagande të llahtarshme, nevojitet kulturë e re e inxhinierisë sociale dhe çështjeve të vogla të qytetit, brenda një modeli të ndërtuar mbi vijat bazë.
Pagat i rrit tregu dhe produktiviteti, por Kryeministri “premton” 900 euro pagë mesatare.
Por, me një të rënë të lapsit, kryeministri Edi Rama ka premtuar që brenda dy viteve të ardhshme, paga mesatare do të arrijnë në rreth 900 euro (rreth 102 mijë lekë).
“Tani më kemi në dorë një plan shumë ambicioz por njëkohësisht dhe të arsyeshëm për një rritje pagash e cila synon të mundësojë ngritjen në harkun e këtyre 2 viteve, pra 2023, 2024 të Shqipërisë në nivelin e lartë të rajonit. Synon të realizojë një target të një page mesatare prej 900 eurosh”, tha Rama dje gjatë leximit të vendimeve të qeverisë.
Kjo do të thotë se jemi në kushtet e një mundësie të re, një mundësi që do ta shfrytëzojmë maksimalisht në të mirë të njerëzve, familjeve dhe pas rritjes së pagës minimale mund të shkojmë drejt rritjes të pagës mesatare, në dy faza.", tha Rama këtë javë.