TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet21 Qershor 2026, 13:50

Banorët shembin rrethimet në Kakome: Tokat e të parëve do t'i mbrojmë me gjak!

Shkruar nga Pamfleti

Banorët shembin rrethimet në Kakome: Tokat e të parëve do

Tensionet për pronësinë në Gjirin e Kakomesë janë rikthyer sërish, pasi dhjetëra banorë të zonës dhe emigrantë të ardhur nga Greqia zhvilluan një protestë kundër rrethimit të zonës që ata e konsiderojnë tokë të trashëguar nga të parët.

Gjatë tubimit, protestuesit hoqën muret rrethuese, telat dhe godinat e rojeve, ndërsa dy ditë më parë ishte hequr edhe porta në hyrje të gjirit. Veprimi u cilësua nga pjesëmarrësit si simbolik dhe si reagim ndaj asaj që ata e quajnë zaptim të pronave.

Mes thirrjeve kundër grabitjes së tokave, protestuesit deklaruan se nuk do të lejojnë që pronat e tyre të kalojnë në duart e oligarkëve apo investitorëve të favorizuar politikisht.

“Tokat e të parëve do t’i mbrojmë me gjak”, u dëgjua gjatë protestës.


Banorët, kryesisht nga Nivica dhe zona përreth, rikujtuan se beteja ligjore për Kakomenë vijon prej vitit 2004, duke u kthyer në një nga konfliktet më të gjata të pronësisë në jug të vendit.

Sipas tyre, proceset administrative dhe ligjore për rreth 29 mijë hektarë tokë kanë mbetur të pazgjidhura prej më shumë se dy dekadash, ndërsa akuzuan forcat politike se kanë premtuar zgjidhje pa dhënë një përgjigje përfundimtare.

Protestuesit u shprehën të zhgënjyer nga institucionet, por theksuan se nuk do të tërhiqen nga kërkesa për njohjen e plotë të të drejtave të pronësisë.

Ata paralajmëruan vijimin e protestave deri në një zgjidhje ligjore dhe administrative që, sipas tyre, duhet të njohë pronësinë mbi tokat që i konsiderojnë trashëgimi familjare.

proteste gjiri i kakomese rrethim tubim

Lini një Përgjigje