Një model i tillë ka ngritur shqetësime për mënyrën se si ndërmarrjet publike mund të përdorin apo transferojnë pasuri shtetërore, sidomos kur ato marrin kompetenca të gjera për veprime me prona dhe për bashkëpunime me subjekte private.Në rastin e Elbasanit, statuti i “Eko Rural Elbasan” i jep shoqërisë një profil të gjerë tregtar, duke e kthyer atë në një strukturë publike me funksione të ngjashme me një kompani private në treg.
Bashkia e Elbasanit ka themeluar një shoqëri aksionere publike me objekt aktiviteti në fushën e agroturizmit, bujqësisë dhe administrimit të pasurive.
Shoqëria e re mban emrin “Eko Rural Elbasan” dhe aksionet e saj zotërohen nga Bashkia e Elbasanit. Sipas dokumenteve të depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kompania do të merret me zhvillimin, administrimin dhe promovimin e agroturizmit në zonat rurale.
Në objektin e aktivitetit përfshihet ngritja dhe menaxhimi i bujtinave, fermave turistike, si dhe organizimi i aktiviteteve rekreative dhe edukative. Kjo e vendos bashkinë në një rol të drejtpërdrejtë ekonomik në sektorë ku zakonisht operojnë subjekte private.
Përveç turizmit rural, “Eko Rural Elbasan” do të ketë të drejtë të merret edhe me grumbullimin, përpunimin, ambalazhimin dhe tregtimin e prodhimeve bujqësore. Dokumentet parashikojnë krijimin ose marrjen me qira të pikave të grumbullimit për fruta-perime të freskëta dhe të përpunuara.
"Objekti i aktivitetit të shoqërisë do të jetë zhvillimi, administrimi dhe promovimi i agroturizmit, përfshirë ngritjen dhe menaxhimin e bujtinave, fermave turistike, aktiviteteve rekreative dhe edukative në zonat rurale." thuhet në ekstraktin e shoqërisë të depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Shoqëria do të mund të veprojë edhe në sektorin e qumështit dhe nënprodukteve të tij, përfshirë djathin, gjalpin dhe gjizën. Kjo do t’i japë asaj mundësi të operojë në disa hallka të zinxhirit bujqësor, nga mbledhja e prodhimit deri te tregtimi.
Objekti i aktivitetit parashikon gjithashtu administrimin, dhënien dhe marrjen me qira ose në përdorim të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, kur këto lidhen me qëllimin e shoqërisë.
Në statut përfshihet edhe e drejta për të krijuar shoqëri të tjera tregtare, si shoqëri aksionere, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar apo forma bashkëpunimi bujqësor. “Eko Rural Elbasan” mund të marrë pjesë edhe si bashkëthemeluese në shoqëri të bashkëpunimit bujqësor ose në subjekte të tjera tregtare.
Krijimi i kësaj kompanie e zgjeron ndjeshëm hapësirën ekonomike të Bashkisë së Elbasanit, pasi shoqëria publike do të mund të veprojë në turizëm, bujqësi, tregtim dhe administrim pronash.
Një model i tillë ka ngritur shqetësime për mënyrën se si ndërmarrjet publike mund të përdorin apo transferojnë pasuri shtetërore, sidomos kur ato marrin kompetenca të gjera për veprime me prona dhe për bashkëpunime me subjekte private.
Në rastin e Elbasanit, statuti i “Eko Rural Elbasan” i jep shoqërisë një profil të gjerë tregtar, duke e kthyer atë në një strukturë publike me funksione të ngjashme me një kompani private në treg.
Lini një Përgjigje