Protesta kombëtare e ditës së 35-të vijon edhe pas mbërritjes së qytetarëve te Komisariati nr. 3, ku u kërkua lirimi i protestuesve të arrestuar pas përplasjeve me policinë gjatë tubimit të së enjtes para Kuvendit.
Pasi qëndruan për disa minuta para komisariatit, mijëra protestues kanë rifilluar marshimin në rrugët e Tiranës, duke e kthyer kryeqytetin në një bulevard të gjatë proteste.
Përgjatë gjithë itinerarit kanë oshëtirë thirrjet "Rama ik", "Rama jepe dorëheqjen", "Ju erdhi fundi", "Revolucion", "Rama në burg, Berisha në burg" dhe "Lironi çunat", ndërsa qytetarët kanë vijuar marshimin mes brohoritjeve dhe flamujve kuqezi.
Kolona e protestuesve vijon të jetë shumë e gjatë, duke përshkuar rrugët kryesore të kryeqytetit. Pas protestës masive para Kryeministrisë dhe marshimit drejt Komisariatit nr. 3, qytetarët nuk kanë shpërndarë tubimin, por kanë zgjedhur të vijojnë demonstrimin edhe në rrugët e Tiranës.
Marshimi i kësaj mbrëmjeje përmbyll një tjetër ditë të protestës, e cila shënoi pjesëmarrjen më të madhe që nga nisja e kësaj lëvizjeje qytetare. Edhe sot, protestuesit përsëritën se revolta e tyre nuk do të ndalet derisa të plotësohen kërkesat që kanë ngritur prej 35 ditësh.
Lini një Përgjigje