TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 4 Korrik 2026, 22:40

"Lironi çunat"/ Protesta zhvendoset te Komisariati nr.3, me mijëra persona mbushin rrugën "Mine Peza"

Shkruar nga Pamfleti
"Lironi çunat"/ Protesta zhvendoset te Komisariati nr.3, me
Vargu i qytetarëve arrin deri në qendër

Revolta nuk u ndal te Kryeministria. Protestuesit marshuan drejt komisariatit ku mbahen të arrestuarit e përplasjeve me policinë, ndërsa kolona e qytetarëve shtrihet deri në qendër të Tiranës

Protesta kombëtare e ditës së 35-të nuk ka përfunduar me mbylljen e tubimit para Kryeministrisë. Menjëherë pas fjalimeve, mijëra qytetarë kanë nisur marshimin drejt Komisariatit nr. 3, aty ku mbahen protestuesit e arrestuar pas përplasjeve me policinë gjatë protestës së së enjtes para Kuvendit.

Marshimi është kthyer në një tjetër demonstrim force të protestuesve. Turma ka mbushur rrugën përpara komisariatit, ndërsa vargu i qytetarëve është aq i madh sa shtrihet deri në qendër të Tiranës. Pamjet tregojnë një kolonë të gjatë protestuesish që vijon të mbërrijë para godinës së policisë.

Përgjatë gjithë marshimit dhe tashmë edhe para komisariatit kanë oshëtirë thirrjet "Lironi çunat", "Rama jepe dorëheqjen", "Revolucion", "Rama në burg, Berisha në burg" dhe "Shqipëri e re", ndërsa protestuesit kërkojnë lirimin e menjëhershëm të qytetarëve të arrestuar.

Kërkesa për lirimin e tyre është kthyer në një nga kauzat kryesore të protestës, pas tensioneve të së enjtes, kur policia ndërhyri me gaz lotsjellës, spray me piper dhe shoqëroi dhjetëra protestues. Organizatorët kanë akuzuar autoritetet për përdorim të tepruar të forcës dhe kanë kërkuar hetim për ndërhyrjen e policisë.

Edhe këtë mbrëmje, qytetarët kanë bërë të qartë se nuk do t'i lënë vetëm protestuesit e arrestuar. Ata janë mbledhur para Komisariatit nr. 3 me mesazhin se do të vijojnë presionin deri në lirimin e tyre, duke e kthyer komisariatin në pikën e fundit të një dite që shënoi protestën më masive që nga nisja e kësaj lëvizjeje qytetare.

Lini një Përgjigje