TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet27 Maj 2025, 09:53

BE-ja kërkon reformë të re zgjedhore në Shqipëri!

Shkruar nga Pamfleti

BE-ja kërkon reformë të re zgjedhore në Shqipëri!

Diplomati theksoi se kjo reformë duhet të përfshijë të gjitha rekomandimet e OSBE-së, të bëra në të shkuarën dhe ato aktualet.

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato deklaroi se Shqipëria ka nevojë që të miratojë një reformë të re zgjedhore. Diplomati theksoi se kjo reformë duhet të përfshijë të gjitha rekomandimet e OSBE-së, të bëra në të shkuarën dhe ato aktualet.

Gonzato shtoi më tej se kjo reformë duhet bërë edhe si nevojë për të avancuar në rrugëtimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Nuk e di nëse kanë dalë rekomandimet përfundimtare, por natyrisht që kam parë rekomandimet paraprake. Ka patur gjithashtu një deklaratë shumë të qartë nga Brukseli dhe është një element që unë dua ta përmend, që unë e kam shumë kryesor siç e ka thënë dhe përfaqësuesja e lartë Kalas, është koha tashmë që qeveria shqiptare por edhe Parlamenti të miratojë një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore e cila të përfshijë të gjitha rekomandimet e shkuara e të tashme nga OSBE ODIHR. Rezultati dhe përgjegjësia bie mbi qeverinë që të ndërmarrë e të kryejë këtë reformë kaq të gjerë sepse me patjetër që i ka numrat. Nga ana tjetër është dhe pritshmëria e shqiptarëve duke qenë se Shqipëria është në këtë rrugëtim për t’u futur në BE”, tha Gonzato në një prononcim nga Korça, ku ndodhej për një aktivitet.

Duke folur për standartet e arritura nga zgjedhjet e 11 majit që sapo lamë pas, Gonzato tha se kishte problematika, por se raporti përfundimtar i OSBE-së do të japë një pasqyrë përfundimtare. Më tej ai përgëzoi KQZ-në për administrimin e zgjedhjeve dhe bashkëpunimin me Prokurorinë e Përgjithshme dhe SPAK-un.

Në raport me atë çfarë patë, kemi një raport të OSBE ODIHR i cili pasqyron si kanë qenë këto zgjedhje ndërkohë që i ka njohur me standardet. Ndërkohë që përmenden dhe çështje si përdorimi i burimeve publike, por administrimi i zgjedhjeve është përgëzuar nga raporti i OSBE ODIHR ndaj po e theksoj që kjo është diçka e cila duhet trajtuar nëpërmjet një reforme gjithëpërfshirëse në të ardhmen. Dua të vlerësoj komisionin qendror të zgjedhjeve për punën që ata kanë bërë, prokurorinë e përgjithshme, SPAK, që do të thoja ka qenë një bashkëpunim ekzemplar", shtoi ai.

Sa i takon akuzave të opozitës për vjedhje votash dhe parregullsi, Gonzato tha se të gjithë ato parti që kanë pretendime, duhet t’i paraqesin ato së bashku me provat para organeve të drejtësisë.

"Do doja të thoja që çdo parti e cila mendon apo ndjen se ka patur parregullsi, patjetër le t’i raportojë ato e të ankohet te organet përkatëse që janë organet që administrojnë zgjedhjet dhe natyrisht edhe te organet përkatëse. Kjo është mënyra se si duhet të shkojnë gjërat. Megjithatë shpresoj që të dyja partitë kanë theksuar një sërë herësh dedikimin e tyre ndaj procesit të anëtarësimit dhe përpjekjeve të Shqipërisë për të shkuar drejt BE, do të punojnë realisht në këtë drejtim", përfundoi ai./Pamfleti

Lini një Përgjigje