
Komisioni Evropian dëshiron të ndryshojë rregullat, duke eliminuar plotësisht kërkesën për një lidhje të provuar midis migrantit të dëbuar dhe vendit në të cilin ai ose ajo po dërgohet…
Bashkimi Evropian është i vendosur të shtrëngojë rregullat e azilit, duke ua bërë më të lehtë shteteve anëtare dërgimin e azilkërkuesve në vende të treta. Në këtë mënyrë iu delegohet barra e pritjes dhe zvogëlohet mundësia e apelimit kundër një urdhri dëbimi.
Komisioni ka paraqitur propozimin e tij për të ndryshuar rregullat mbi zbatimin e konceptit të 'vendit të tretë të sigurt', me qëllimin e deklaruar për të përshpejtuar procedurat e azilit dhe për të zvogëluar presionin mbi sistemet kombëtare.
Koncepti i vendit të tretë të sigurt u lejon Shteteve Anëtare të konsiderojnë të papranueshme një kërkesë për mbrojtje kur aplikantët mund ta marrin atë në një vend tjetër që konsiderohet i sigurt për ta.
Për Italinë, ky është një lajm i shkëlqyer, sepse një reformë e tillë do të hapte dyert për sisteme si ai që kryeministrja Giorgia Meloni do të donte të zbatonte, e cila ka hapur qendra pritjeje në Shqipëri që do të strehonin migrantët e shpëtuar në det.
Ndryshimet
Kur një vend shpallet i sigurt, kjo do të thotë që kërkesat për azil për migrantët nga ai komb mund të refuzohen lehtësisht, pasi nuk ka nevojë për mbrojtje për qytetarët e tij. Por një vend i tretë i sigurt është gjithashtu një vend në të cilin mund të dërgohet një migrant, edhe nëse ai ose ajo nuk është me origjinë nga atje, pasi ka hyrë në territorin evropian në mënyrë të parregullt, duke ia deleguar kështu qeverisë së tij detyrën e menaxhimit të një kërkese të mundshme për mbrojtje. Megjithatë, sipas ligjit aktual të BE-së, është e nevojshme të demonstrohet një lidhje konkrete midis aplikantit dhe atij vendi.
Me propozimin e Komisionit, i cili tani do të duhet të miratohet nga Parlamenti dhe Këshilli Evropian, kjo kërkesë nuk do të jetë më e detyrueshme: Shtetet Anëtare do të jenë në gjendje ta zbatojnë konceptin edhe në mungesë të një lidhjeje, me kusht që të ketë marrëveshje ose mirëkuptime me Shtetin në fjalë që garantojnë shqyrtimin e kërkesës dhe, nëse justifikohet, dhënien e mbrojtjes.
Momentalisht Shqipëria ka marrëveshje me Italinë, por në anën tjetër ka një interesim edhe nga Gjermania. Kjo të paktën sipas mediave Gjermane, ku kancelari Merz gjatë takimin me Giorgia Melonin në Romë, ka diskutuar edhe për modelin e aplikuar në Shqipëri me hapjen e dy qendrave të pritjes për emigrantët. Ndonëse Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, refuzoi publikisht kërkesën e Mbretërisë së Bashkuar, duke ia bërë të qartë homologut britanik Starmer, se me Italinë është një rast i veçantë, nuk dihet se çfarë qëndrimi mund të mbajë kundrejt një kërkese që mund të vijë nga Gjermania, një prej vendeve lidere të BE-së. Dhe po kështu mund të përballet edhe me një kërkesë nga Franca, referuar edhe raporteve pothuajse miqësore që Rama ka me Presidentin Macron.
Në kushtet kur Edi Rama përdori kartën e anëtarësimit të vendit në BE brenda 2030, për të marrë mandatin e katërt qeverisës, nuk është çudi që ai të përballet me kërkesat nga të paktën dy vende anëtare për hapjen e kampeve të akomodimit të emigrantëve të depërtuar, në shkëmbim të mbështetjes për realizimin e anëtarësimit.
Komisioni argumenton se koncepti tani duhet të zbatohet edhe për vendet nëpër të cilat migrantët thjesht kanë kaluar, duke hapur derën për vendet e Afrikës së Veriut si Egjipti, Algjeria dhe Tunizia, por edhe për vendet me të cilat janë nënshkruar marrëveshje dypalëshe, si Shqipëria apo edhe potencialisht Ruanda, me të cilat Mbretëria e Bashkuar, për shembull, kishte një pakt për të mirëpritur refugjatët e saj.
Jo vetëm kaq, Shtetet Anëtare do të jenë në gjendje të zgjedhin të zbatojnë konceptin e vendit të tretë të sigurt në prani të një lidhjeje të përcaktuar nga ligji kombëtar, duke pasur kështu pothuajse një lloj lirie të plotë.
Pa apelim
Përveç kësaj, Komisioni propozon që ankimimet kundër vendimeve për papranueshmërinë e një kërkese për azil, bazuar në konceptin e vendit të tretë të sigurt, të mos kenë më efektin e pezullimit automatik të një procedure të mundshme për dërgimin e një migranti në atë vend, por të kërkojnë një vendim përfundimtar. Megjithatë, të vetmit që përjashtohen nga ky përkufizim i ri do të jenë të miturit e pashoqëruar, të cilët do të vazhdojnë të duhet të mirëpriten në tokën evropiane.
Vend i sigurt
Një vend i tretë mund të konsiderohet i sigurt vetëm nëse plotëson një numër kushtesh, të tilla si mbrojtja nga dëbimi, mungesa e një rreziku real të dëmit serioz dhe kërcënimeve për jetën dhe lirinë për shkak të racës, fesë, kombësisë, përkatësisë në një grup të caktuar shoqëror ose mendimit politik, dhe mundësia për të kërkuar dhe marrë mbrojtje efektive.
Komisioni aktualisht ka hartuar një listë të parë të BE-së me vendet e sigurta, e cila përfshin Kosovën, Bangladeshin, Kolumbinë, Egjiptin, Indinë, Marokun dhe Tunizinë. Megjithatë, vendet anëtare kanë listat e tyre kombëtare dhe, për shembull, në atë italiane ka 19 vende: Shqipëria, Algjeria, Bangladeshi, Bosnja dhe Hercegovina, Kepi i Gjelbër, Bregu i Fildishtë, Egjipti, Gambia, Gjeorgjia, Gana, Kosova, Maqedonia e Veriut, Maroku, Mali i Zi, Peruja, Senegali, Serbia, Sri Lanka dhe Tunizia.
Pse gëzohet Italia?
Propozimi i Komisionit tregon "vlefshmërinë dhe efektivitetin e qasjes së miratuar nga qeveria Meloni", u shpreh ministri italian për Çështjet Evropiane, Tommaso Foti, sipas të cilit "me rëndësi të veçantë është edhe dispozita sipas së cilës ankesat kundër transferimeve në vende të treta të sigurta nuk do të çojnë më në pezullimin automatik të procedurës, duke shmangur kështu abuzimet dhe vonesat".
Për Partinë Popullore Evropiane, propozimi i Komisionit "dërgon mesazhin e duhur".
Tani “përcaktimi i kritereve të përbashkëta për identifikimin e vendeve të treta të sigurta është pjesa që mungon në sistemin e përbashkët evropian të azilit dhe një hap vendimtar drejt krijimit të një sistemi efikas, të menaxhueshëm dhe të drejtë”, tha zëdhënësja e PPE-së për çështjet e brendshme, Lena Dupont, në një deklaratë. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje