
Kreu i SPAK, Altin Dumani, Kryeprokurori Olsjan Çela dhe kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, patën një takim mëngjesin e sotëm me diplomatët e akredituar në Tiranë, ku në fokus ishin zgjedhjet e 11 majit dhe ndjekja e procedurave për luftën ndaj krimit zgjedhor.
Në takimin e zhvilluar në Ambasadën franceze në Tiranë, ishin ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Holandës, Austrisë, Italisë, Zvicrës, Britanisë së Madhe dhe E ngarkuara me Punë e SHBA.
Në takim mori pjesë edhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian si dhe kreu i Misionit të Vëzhguesve të ODIHR-it, Lamberto Zannier.
Mësohet se diplomatët janë njohur me detaje lidhur me ecurinë e procesit zgjedhor, bashkëpunimin mes institucioneve në kuadër të hetimit të krimit zgjedhor dhe ppërballjen me drejtësinë të personave përgjegjës.
Sipas raportimeve, gjatë takimit, kreu i SPAK dhe Kryeprokurori kanë informuan diplomatët lidhur me hapat që po ndjekin kundër krimit zgjedhor, denoncimet, trajtimet, bashkëpunimin mes Prokurorisë Speciale dhe Prokurorive të rretheve.
Në këtë kuadër, mësohet se Dumani dhe Çela kanë informuar ambasadorët lidhur me mekanizmat që po ndiqen për hetimin dhe më pas çuarjen para gjykatës të personave të dyshuar për krime zgjedhore. Në këtë kuadër, SPAK po heton 39 dosje lidhur me zgjedhjet e 11 majit, ndërkohë që shumë raste po ndiqen nga Prokuroritë e rretheve, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale.
Në takim u vu theksi në bashkëpunimin ndërinstitucional, por edhe me partnerët ndërkombëtarë lidhur me goditjen e krimit zgjedhor. Raportohet se nga diplomatët është kërkuar që të gjitha çështjet që kanë lidhje me krimin zgjedhor të hetohen me shpejtësi dhe me transparencë, si një mënyrë për të rritur besimin e publikut ndaj institucioneve të drejtësisë.
Nga raportimet, kreu i KQZ ka informuar diplomatët lidhur me hapat që janë ndjekur nga momenti fillestar dhe deri në përfundim të procesit të numërimit të votave. Në këtë kuadër, u diskutua mbi ndjekjen deri në fund të çdo ankese që do të paraqitet në KQZ dhe në institucionet e tjera të lidhura me procesin zgjedhor.
Lini një Përgjigje