
Agjentë të BKH-së zbarkuan në Qarkun e Dibrës në kuadrin e një hetimi lidhur me krimet zgjedhore. Bëhet fjalë për një operacion që është zhvilluar në Bashkinë Klos, ku dyshohet se zyrtarë të kësaj njësie, por edhe të institucioneve të tjera publike, janë përfshirë në skemën e blerjes së votave, apo intimidimin e votuesve, qoftë edhe përmes presioneve.
Në hetime përfshihen edhe zyrtarë të policisë lokale, roli i të cilëve po verifikohet.
Nga raportimet mësohet se me urdhër të SPAK dhe me një vendim të GJKKO-së janë sekuestruar aparatet celularë të 3 drejrorëve të Bashkisë, mes të cilëve edhe atij juridik dhe të shërbimeve sociale, raporton OraNews.
Gjithashtu janë sekuestruar pajisje kompjuterike, si dhe janë kontrolluar një seri automjetesh. Operacioni, sipas raportimeve, ka lidhje me përgjimet e kryera gjatë fushatës, ku duket se SPAK dhe agjentët e BKH-së kanë indicie të mjaftueshme për të nisur hetimet.
Në Qarkun e Dibrës, PS fitoi 3 mandate nga 5 të mundshmet, ndërsa dy mandate u fituan nga PD. Drejtuesi politik i PS-së për Dibrën ishte Blendi Klosi, që para 11 majit vendosi si objektiv fitoren e 4 mandateve. Ndërkohë për PD-në drejtues politik ishte Xhelal Mziu, i cili gjithashtu pretendonte se kjo parti dhe aleatët e saj do të fitonin të paktën 3 mandate.
Fushata në Dibër regjistroi disa incidente dhe përplasje, ndërsa nga opozita u pretendua se në të paktën dy raste ishin bllokuar automjete me shuma të mëdha parash që do të përdoreshin për blerje votash.
Zyrtarisht lidhur me operacionin e SPAK në qarkun e Dibrës nuk ka asnjë njoftim, ndërsa raportohet se pritet të ketë të tjera kontrolle ndaj zyrtarëve në të gjithë qarkun.
Lini një Përgjigje