
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka njoftuar hapjen e një linje të re ajrore që lidh Tiranën me qytetin e Heraklionit në ishullin e Kretës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo e cilësoi këtë zhvillim si “një urë të re mes Shqipërisë dhe Kretës”, që do të lehtësojë qarkullimin e shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Greqi.
“Tiranë–Heraklion është linja më e re që i shtohet familjes së destinacioneve nga aeroporti ‘Nënë Tereza’. Një urë e re mes Shqipërisë dhe Kretës, që do t’u shërbejë mijëra shqiptarëve që jetojnë e punojnë atje, por edhe do të sjellë më shumë vizitorë drejt vendit tonë”, shkruan Balluku.
Sipas saj, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) po shënon rritje të qëndrueshme me 118 destinacione aktive dhe parashikim për një rekord të ri prej 12 milionë pasagjerësh gjatë këtij viti. Linja e re drejt Heraklionit pritet të forcojë lidhjet ekonomike dhe turistike mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke zgjeruar më tej rrjetin e fluturimeve rajonale.
Lini një Përgjigje