
Memoria e serverit të kamerave të Kryeministrisë është dërguar në SHBA për ekspertizë në vjeshtën e vitit 2011...
Për të parën herë pas gati 15 viteve, Sali Berisha do të paraqitet në prokurori për të dhënë sqarime mbi vrasjet e 21 Janarit 2011. Të premten ai është thirrur në SPAK për tu pyetur si person në dijeni.
SPAK mori dosjen e “21 Janarit” pas një vendimi nga Gjykata e Lartë, e cila urdhëroi të hetohet roli i kryeministrit të asaj kohe, ministri të Brendshëm, kreut të Gardës dhe gjithë zyrtarëve të tjerë.
Pas marrjes në pyetje të Lulzim Bashës, ish-kreut të Gardës, ish-kreut të policisë dhe disa zyrtarëve të tjerë, tani është radha e Berishës të japë sqarime. Por a do të mbaj përgjegjësi Berisha për këto vrasje? A ka prova SPAK në dorë? Padyshim që në prokurori është dorëzuar një audio, ndërkohë që misteri më i madh është se kush i fshiu kamerat e Kryeministrisë dhe a mund të rikuperohen.
Serveri i Kryeministrisë
Në shtator të vitit 2011, Prokuroria dërgoi për ekspertim në SHBA, pajisjet e serverit të kamerave të Kryeministrisë. Serverat në fjalë ishin vënë në dispozicion të prokurorisë pak ditë pas ngjarjeve të dhunshme të 21 janarit.
Në reagimin e parë të tij për ngjarjen e ndodhur pranë godinës së qeverisë, Sali Berisha deklaroi se kishte porositur sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Ministrave që kasetat filmike të kamerave të Kryeministrisë t’i dorëzoheshin prokurorisë për hetimin e ngjarjes. Prokuroria megjithatë pak ditë më pas shkoi vetë tek Kryeministria dhe për tri ditë, pasi këqyri vendin e ngjarjes, mblodhi provat e nevojshme materiale. Mes këtyre provave ishin edhe disqet apo kasetat ku ishin hedhur imazhet e filmuara nga sistemi i kamerave të vëzhgimit të Kryeministrisë.
Grupi hetimor i 21 janarit i analizoi pamjet e dhëna nga Kryeministria, por pasi nuk gjeti skena për asnjë nga katër vrasjet, vendosi të verifikojë më tej. Anëtarë të grupit të hetimit të prokurorisë madje shkuan më tej, derisa pohuan dyshimet e tyre se imazhet ishin redaktuar para se t’i jepeshin prokurorisë. Me këtë pretendim organi i akuzës kërkoi pajisjen kompjuterike me të cilën ishte lidhur sistemi i kamerave vëzhguese të godinës së qeverisë.
Një pajisje e tillë iu dha prokurorisë pak ditë pas kërkesës dhe përsëri prokuroria nuk gjeti skenat e vrasjeve në filmimet e memorizuara në server.
Ndërkohë, teksa ndodhnin këto zhvillime me dosjen “21 janari”, një precedent ndodhi në dosjen e hapur pas video-përgjimit të Dritan Priftit, më 11 shkurt 2011 një ekspert amerikan lajmëroi Prokurorinë e Përgjithshme se në kompjuterin e Dritan Priftit kishte gjetur një video të dytë, e cila më parë kishte qenë e fshirë nga memoria e dukshme, por që teknikisht ishte rigjeneruar.
Nisur nga ky precedent dhe nën dyshimin se serveri i Kryeministrisë ka pasur fshirje të regjistrimeve, Prokuroria e Tiranës i dërgoi pajisjet në Prokurorinë e Përgjithshme dhe prej andej, memoria e serverit të kamerave të Kryeministrisë është dërguar në SHBA për ekspertizë. Një nga pyetjet që kanë bërë në atë kohë prokurorët në letrat e dërguara palës amerikane, është edhe nëse serveri ka materiale që janë fshirë më parë dhe nëse realizohet teknikisht rikuperimi i këtyre imazheve.
Në atë kohë nuk u bë kurrë ky rikuperim, por sot teknologjia ka avancuar. Pra serveri është në duart e tyre dhe nëse amerikanët duan, mund të fundosin Berishën, Bashën dhe gjithë zinxhirin komandues.
FBI dhe ekspertiza për Aleks Nikën
E pazbardhur pas 13 viteve, vijon të jetë vrasja e protestuesit Aleks Nika, i cili ka qenë me duar në xhepa, kur është ekzekutuar me një plumb në kokë.
Ekspertiza e bërë në atë kohë ka treguar se plumbi ka pasur kënd drejtimi nga lart-poshtë. Në pamje predha e sekuestruar në trupin e Nikës shikohet se është totalisht e dëmtuar dhe nuk ka asnjë element për tu identifikuar nëpërmjet ekspertizës. Plumbi ka marrë deformim të madh duke prishur totalisht vjaskat, karakteristika këto që lihen nga tyta e armës në momentin e qitjes.
Kjo pjesë predhe në vitin 2014 është dërguar në një laborator kriminalistik në Virginia të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe sërish nuk janë përftuar të dhëna që do shërbenin për zbardhjen se nga kush armë është qëlluar kjo predha. Pra edhe kjo gëzojë është dërguar në SHBA në atë kohë.
Ndërkohë duhet thënë se prokuroria e asaj kohe mori asistencë nga FBI dhe u kryen shumë ekspertiza prej tyre. Falë asaj ekspertize u ngritën akuzat për vrasjen e 3 protestuesve të tjerë. Me pak SHBA e ka në dorë zbardhjen e kësaj dosje. /Pamfleti
Lini një Përgjigje