
Dumani dhe prokurorët kanë kryer takime në Njësinë e Operacioneve Speciale të DEA. Pra, ata nuk kanë bërë një takim dosido, por janë takuar me kreun dhe zyrtarë të një prej njësive më elitare të DEA...
Prokurorët e SPAK kanë mbyllur sot vizitën në SHBA, vizitë një javore e cila duket se do të ketë ndikim të madh në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ata patën takime në shumë dikastere, ku më kryesoret janë në FBI dhe në DEA.
Takimi në Administratën Kundër Drogës (DEA) ishte ai që përmbylli vizitën. Pak kohë më parë në vendin tonë mbërritën agjentë të DEA dhe sapo ata u stacionuan, duket se janë frenuar trafiqet e kokainës.
Por ajo që ka tërhequr vëmendje në njoftimin e ambasadës dhe në foton e publikuar prej saj, është se Dumani dhe prokurorët kanë kryer takime në Njësinë e Operacioneve Speciale të DEA. Pra, ata nuk kanë bërë një takim dosido, por janë takuar me kreun dhe zyrtarë të një prej njësive më elitare të DEA.
Por çfarë është Divizioni i Operacioneve Speciale në DEA, i njohur si SOD? Ai është një divizion brenda DEA, i cili përcjell informacion nga përgjimet, mbikëqyrjet dhe bazat e të dhënave nga burime të ndryshme, tek agjentët federalë dhe zyrtarët vendorë të zbatimit të ligjit. Me pak fjalë është njësia operative e DEA, ajo e cila mbledh informacionet në terren përmes metodave speciale.
Sipas menaxhmentit ekzekutiv të DEA-s, mënyra më efektive për të konstatuar gjerësinë e një operacioni të trafikut të drogës është gjurmimi i komunikimit ndërmjet palëve të përfshira. SOD është një lloj “depo” për numrat e telefonit të përdorur nga persona që janë pjesë e një hetimi të DEA. SOD përdor një bazë të dhënash për të mbledhur këta numra telefoni dhe më pas i gjurmon dhe përgjon. Kjo i mundëson DEA-së të lidhë rastet e hetuara nga zyra të ndryshme në të gjithë vendin dhe në mbarë botën.
Fakti që zyrtarët e SPAK kanë shkuar te kjo njësi, duket se mund të kemi një tjetër bombë pas asaj me zbulimin e përgjimeve të SKY. Dalja e mesazheve ka ekspozuar shumë bosë krimi, por duket se tani ka hyrë në lojë dhe DEA. Prej kohe është folur se trafikantët kanë lidhje me strukturat shtetërore, policinë, drejtësinë dhe politikën, por askush nuk ka guxuar të hetojë. Mos vallë DEA ka zbuluar lidhjet në fjalë dhe ka dhënë udhëzime te SPAK? Të shohim se çfarë do të ndodhë pasi prokurorët të mbërrijnë në Tiranë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje