Aktualitet26 Tetor 2023, 08:09

Dëshmia e rrallë e ish-oficerit: Në zyrën e Enverit mbërritën qindra fotografi të kufomës së Xhevdet Mustafës e Haznedarit

Shkruar nga Pamfleti

Dëshmia e rrallë e ish-oficerit: Në zyrën e Enverit

“Për gati tridhjetë vjet, kam parë se si Enver Hoxha relaksohej mbi fotografitë e viktimave të tij. Ai qëndronte përreth 6 orë në ditë mbi fotografitë e trupave të pushkatuar të Koçi Xoxes, Beqir Ballukut, Petrit Dumes dhe Hito Çakos. Por mbi fotografitë e Mehmet Shehut dhe ato të Xhevdet Mustafës dhe të tjerëve që u vranë në atë ngjarje, ai është relaksuar mbi tri ditë”. Kjo është dëshmia rrëqethëse e oficerit, që ka qëndruar përreth 20 vjet pranë Enver Hoxhës.

Sipas ish-ushtarakut të lartë, Enveri ishte jashtëzakonisht i apasionuar pas fotografive të trupave të vrarë me plumba. Kjo dashuri për herë të parë i ishte shfaqur që në vitin 1945. Pasi një prej njerëzve të tij të afërt shpallej armik i partisë dhe gjykata vendoste që ai të pushkatohej, fillonte një tjetër procedurë. Sapo prokurori i kishte dhënë të dënuarit “Colpo di gracia”, atëherë një fotograf profesionist, duhej të bënte mbi 30 foto të trupit të gjakosur, në 30 pozicione të ndryshme dhe fotografitë, duhet të laheshin e stampoheshin brenda gjashtë orëve.

Raporti i plotë që iu dërgua Enver Hoxhës, për zbarkimin dhe eliminimin e bandës së Xhevdet Mustafës dhe fotografitë e kufomave!

“Më datën 26 shtator 1982, në zyrën e komandantit mbërriti raporti i hollësishëm i vrasjes së Xhevdet Mustafës dhe asgjësimi i bandës së drejtuar prej tij. Bashkë me raportin e hollësishëm, mbërritën dhe qindra fotografi që i ishin bërë kufomës së Xhevdet Mustafës dhe kufomës së Sabahudin Haznedarit.

Po ashtu, raporti i hollësishëm i bandës së Xhevdet Mustafës dhe roli special i Hekuran Isait, Muho Asllanit dhe Kadri Hazbiut, shoqërohej edhe me dhjetëra fotografi të tjera, nga vendi i ngjarjes.

Grupi që bëri ekspertizën e hollësishme të kësaj ngjarjeje të pazakontë, kishte bërë me dhjetëra fotografi të dy policëve të vrarë, si dhe të fshatarit-kovaç, nga fshati Zhamë.

Të gjitha objektet që iu kapën kreut të bandës Xhevdet Mustafa dhe sidomos fotografitë e kufomës së tij, kanë qëndruar të ekspozuara për gati tetë vjet, në Muzeun e Ministrisë së Brendshme, që ishte vendosur ku është Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve sot. Muzeu i Ministrisë së Brendshme, është hapur me urdhrin personal të Enver Hoxhës dhe të gjitha fotot që janë vendosur në këtë muze, thuhet se janë vendosur me miratimin dhe urdhrin e tij.

Ai i ka parë me shumë kujdes të gjitha fotot që do të ekspozoheshin, duke filluar që nga fotot e Koçi Xoxes dhe duke vazhduar me fotot e të gjithë anëtarëve të Byrosë Politike, që ishin pushkatuar ndër vite, si “armiq të popullit”. Por fotot e Xhevdet Mustafës, të vrarë në Zhamë të Lushnjës, zinin stendat kryesore, ku pasqyroheshin pamjet më makabre, të cilat ishin dhe të fundit që u publikuan në atë muze.

Diagaçi i sjellë posaçërisht nga Korpusi Ushtarak i Fierit, që rrëzoi murin e shtëpisë ku ishte vendosur Xhevdet Mustafa dhe qëlloi mbi të me armën 12.5 milimetërshe, ishte fotografuar disa herë dhe ishte vendosur në një nga stendat e atij muzeu. Tërë fondi prej më shumë se 1000 fotografish, i Muzeut të Ministrisë së Brendshme, ndodhet në Arkivin e Ministrisë së Brendshme, në kutinë 560, ndërsa tërë reliket, janë në një magazinë në katin e dytë të aneksit të Ministrisë.

Por, në tërë skenarin e vrasjes së Xhevdet Mustafës dhe Sabahudin Haznedarit, më pikantet janë dy ngjarje tepër interesante. Shitësja e byrekëve në stacionin e trenit të Rrogozhinës ishte bashkëpunëtore e Sigurimit të Shtetit, me pseudonimin “Trenistja”. Ndërkohë, një grua rome ka injoruar urdhrin e Hekuran Isait, të Muho Asllanit dhe gjithë zyrtarëve të tjerë të Sigurimit të Shtetit, që të vriste Xhevdet Mustafën. Ajo ka deklaruar prerazi se; “Nuk kam vrarë dhe nuk vras njeri qoftë dhe për të mbrojtur Partinë dhe shokun Enver Hoxha”.

Ngjarja e bandës së Xhevdet Mustafës, 24 shtator 1982

“Nga periferia e Portit të Barit, u nis një skaf special, i cili drejtohej nga dy të ashtuquajtur peshkatarë italianë. Në bordin e tij, ishte Xhevdet Mustafa, Sabahudin Haznedari dhe Halit Bajrami. Skafi italian mbërriti në brigjet shqiptare, më datën 25 shtator 1982, në orën 01:00. Banda duhet të zbarkonte te Shkëmbi i Kavajës, në këtë orë. Por me këmbënguljen e Sabahudin Haznedarit, banda zbriti në Divjakë. Xhevdet Mustafa, ishte i arratisur në vitin 1964, ishte me banim në SHBA-së, ku dhe ishte i martuar, e kishte dy fëmijë.

Halit Bajrami dhe Sabahudin Haznedari, ishin arratisur në vitin 1951. Tre anëtarët e bandës, tentuan të hynin në thellësi, por e kishin të pamundur. Ata i pengonte këneta dhe kështu e kalojnë natën në bregdetin e Divjakës. Në mesditë, në afërsi të tyre u shfaq një motoskaf i policisë, nga i cili zbritën dy punonjës policie, të cilët hoqën rrobat e policisë dhe dolën me rroba banje. Dy punonjësit e policisë u vranë brenda pesë sekondave, nga ana e Xhevdet Mustafës. Me ta kishte qenë dhe polici Sokrat Biti, por ai ishte i veshur me uniformë peshkatari.

Xhevdet Mustafa, ia fali jetën policit, të cilin e mori për peshkatar. Polici u detyrua nga ana e Xhevdet Mustafës, por dhe nga ana e pjesëtarëve të tjerë të bandës, që të bënte shoqëruesin. Ai udhëtoi së bashku me ta dhe i shoqëroi deri te stacioni i trenit në Rrogozhinë. Banda u gjend para një të papriture. Atë ditë ishte ndërruar ora dhe ata humbën sensin e lëvizjes së trenave me një orë, edhe pse banda e dinte me saktësi orarin e lëvizjes së trenave.

Xhevdet Mustafa, me pjesëtarët e tjerë të bandës, u shtirën sikur ishin klientë të rastit dhe u sollën normalisht si shqiptarë. Por shitësja e byrekëve, brenda stacionit të trenit ishte bashkëpunëtore e Sigurimit të Shtetit, me pseudonimin “Trenistja”, dhe duke dyshuar nga shqipja e folur trashë nga Xhevdet Mustafa dhe tre anëtarët e tjerë të bandës, dyshoi, duke njoftuar menjëherë operativin e Sigurimit, sipas kodit të komunikimit që kishin me njëri-tjetrin.

Bashkëpunëtores së Sigurimit, më parë i kishin rënë në sy atletet e Xhevdet Mustafës, të cilat ishin të markës “ADIDAS”, që ishin një shfaqje e huaj mikroborgjeze për atë që i vishte. Operativi, shkoi menjëherë tek Halit Bajrami dhe i kërkoi letër-njoftimin. Halit Bajrami i dorëzoi pistoletën dhe i tregoi sipas zhargoneve të Sigurimit të Shtetit, për rrezikun që paraqiste prania e Xhevdet Mustafës, brenda stacionit të trenit.

Sabahudin Haznedari, u përvodh nga tavolina dhe zuri vend te një bunker, që ndodhej në krah të stacionit të trenit. Ai u asgjësua brenda një kohe shumë të shkurtër, nga një breshëri plumbash, që erdhi nga një drejtim i papërcaktuar. Xhevdet Mustafa, në fillim hipi në një fugon të tipit “ZUK”, që ndodhej në hyrje të stacionit të trenit dhe duke ndërruar dy herë makinë, mbërriti në një shtëpi në një kodër, në Zhamë të Lushnjës.

Gruaja rome që shpërfilli urdhrin e Hekuran Isait dhe Muho Asllanit, për të qëlluar mbi Xhevdet Mustafën

Të vetë dorëzuarin Halit Bajrami, oficerët e Sigurimit të Rrogozhinës, e masakruan duke e goditur me qytën e pistoletave, për të mësuar të vërtetën nga ana e tij. Oficerët që e godisnin pareshtur me qytën e pistoletave, nuk e dinin se kishin të bënin me një kolegun e tyre, i cili kishte detyrën e in-filtruesit dhe kishte për qëllim, që të sillte bandën e Xhevdet Mustafës në Shqipëri. Në vendngjarje, kanë mbërritur në mënyrë të rrufeshme anëtarët e Byrosë Politike, Muho Asllani, Hekuran Isai dhe Kadri Hazbiu.

Në raport shkruhet se si; “shoku Hekuran Isai, ka replikuar shumë ashpër me Kadri Hazbiun. I zoti i shtëpisë ku mbërriti Xhevdet Mustafa, bëri rezistencë dhe nuk donte që ai të hynte në shtëpi”. Ai u ekzekutua me gjakftohtësi nga ana e Xhevdet Mustafës, në sy të gruas dhe të fëmijëve. Gruan, Xhevdet Mustafa e nxori jashtë dhe mbajti peng dy fëmijët. Në zbatimin e detyrave nga ana e forcave të Sigurimit, kishte një hezitim shumë të madh, nga mungesa e eksperiencës. Ferit Zeneli, zëvendësministri i Brendshëm, i raportoi Hekuran Isait, se shtëpia ishte e rrethuar. Operacionin e drejtonte Kapllan Shehu, kryetar i Degës së Brendshme të rrethit të Lushnjës.

Një rol shumë të rëndësishëm në organizimin e operacionit ka luajtur dhe një prej punonjësve më të aftë dhe më të spikatur të Sigurimit të Shtetit, Pëllumb Kapo, djali i Hysni Kapos. Një prej fëmijëve (vajzë), që kishte marrë peng Xhevdet Mustafa, u plagos nga një plumb rikoshetë, duke iu këputur një gisht i këmbës. Atë e mbuloi gjaku dhe Xhevdet Mustafa kërkoi nënën e kësaj fëmije, që ta merrte. Nëse do ta shoqëronte njeri, atëherë ai do ta vriste.

Gruan e thirrën tërë specialistët e Sigurimit të Shtetit. Iu propozua që ajo të merrte një pistoletë, ta maskonte atë dhe kur të merrte djalin e plagosur, të vriste Xhevdet Mustafën. Por gruaja nuk pranoi, që të vriste Xhevdet Mustafën. Ajo u përgjigj se; “Nuk kam vrarë njeri dhe nuk mund të kryej një detyrë të tillë…”! Edhe pse e urdhëroi Hekuran Isai dhe Muho Asllani që ta bënte një gjë të tillë, ajo nuk pranoi që ta bënte….!

Me propozim të Kadri Hazbiut, pas kundërshtimeve të mëdha të gruas së kovaçit nga Zhama e Lushnjës, që gruaja të futej brenda në shtëpinë e saj, për të marrë fëmijën e plagosur, të gjithë kishin mbetur me gojë kyçur, pas përgjigjes së prerë të gruas, se ajo nuk mund të shkonte e armatosur dhe të vriste Xhevdet Mutafën, edhe pse gati dy orë, asaj ia kishin mbushur mendjen se ai ishte armiku i Parisë dhe i Popullit dhe kishte ardhur si diversant në Shqipëri, për të vrarë Enver Hoxhën.

Gruaja rome, nuk pranoi që të shkonte e armatosur dhe pas ankthit që kishte zgjatur rreth një orë, ajo u nis drejt shtëpisë dhe të gjithë prisnin që të dëgjonin krismën e armës, me të cilën Xhevdet Mustafa, do të qëllonte mbi gruan. Por ndodhi një e papritur e madhe dhe befasuese. Gruaja doli qetë-qetë nga shtëpia me dy fëmijët, njërin nga të cilët, atë të plagosurin, e mbante në krah. Më pas u vërtetua se fëmijën, nuk e kishte plagosur Xhevdet Mustafa, por ishte plagosur nga një plumb, që kishte bërë rikoshetë.

Tërbimi i Enverit kur mësoi se Hekuran Isai dështoi për kapjen gjallë të Xhevdet Mustafës!

Vrasja e Xhevdet Mustafës, është një prej historive më të komplikuara të Sigurimit të Shtetit, i cili e kishte planifikuar, që banda të vinte më datën 16 shtator 1982. Informacionin e parë për bandën e rrezikshme, Sigurimi i Shtetit e kishte më datën 11 prill 1982. Atentati kundër Enver Hoxhës, nga ana e Xhevdet Mustafës, ishte planifikuar në tribunën e festimit të 60-vjetorit të Konferencës së Pezës. Hekuran Isai, Kapllan Shehu dhe Pëllumb Kapo, për gati një orë, kanë diskutuar se si mund të kapej i gjallë Xhevdet Mustafa.

Po ashtu, nga krahu tjetër, grupi i drejtuar nga Kadri Hazbiu dhe Muho Asllani, kanë bërë shumë përpjekje, për të gjetur mënyrën se si të kapej i gjallë Xhevdet Mustafa. Ai gjendej i rrethuar në shtëpinë e kovaçit të fshatit Zhamë. Muho Asllani, shpëtoi nga sikleti i madh, jo vetëm dy anëtarët e Byrosë Politike, por dhe specialistët më të zotë të Sigurimit të Shtetit. Ai propozoi që në vendngjarje, të silleshin familjarët e Xhevdet Mustafës. U propozua që nënën e Xhevdet Mustafës, ta futnin në shtëpinë ku mbrohej vetë Xhevdeti. Mendohej se ajo, mund ta bindte të birin të dorëzohej.

Mendimin e Muhos e miratoi dhe vetë Kadri Hazbiu. Kapllan Shehu, i tha me megafon Xhevdet Mustafës, se do të sillnin nënën dhe babain në vendngjarje, prandaj ishte e mira që të dorëzohej. Xhevdet Mustafa, i është përgjigjur me një shqipe të cunguar. “Kurrë nuk dorëzohem i gjallë. Ju sillni kë të doni. Më kanë futur në kurth dhe kanë prerë besën e shqiptarit, por unë kurrë nuk bëj pazar me komunistët. I kam urryer dhe i urrej përjetësisht”. Pas kësaj përgjigjeje, u njoftua Dega e Brendshme e Durrësit, që të merrte familjarët e Xhevdet Mustafës, të cilët ishin nën mbikëqyrjen e Drejtorisë së Dytë të Sigurimit të Shtetit.

Gjendja e familjes së Xhevdet Mustafës, ishte shumë e mjeruar. Nëna e tij ishte e veshur me të zeza dhe në kokë mbante një shami të bardhë. Por pa mbërritur ata ende në Rrogozhinë, u ndaluan nga makina e Hekuran Isait. Ai urdhëroi që pjesëtarët e familjes, të dërgoheshin në Degën e Brendshme të Durrësit. U sistemuan në birucë dhe për tri-katër ditë, u morën në pyetje.

Si e shkatërroi diagaçi shtëpinë e kovaçit?!

Nga Korpusi i Fierit, kishte ardhur një diagaç, i cili kishte të montuara në platformën e tij dy mitraloza të lehtë. Në bordin e tij, ishte një ekuipazh prej gjashtë vetash. Katër ushtarë, një kapter, që ishte dhe mitraljeri dhe një oficer, i cili kryente detyrën e komandantit të togës. Diagaçi u nis dhe Xhevdet Mustafa, shtiu mbi pesë herë mbi të. Atij i kishte mbetur dhe gjysma e karikatorit të “Kallashnikovit”, që ia kishte rrëmbyer policit. Në këto kushte, ai e la fatin e tij në dorë të diagaçit kinez, me numër 605.

Diagaçi, pasi prishi këndin e shtëpisë, i krijoj rreze qitjeje mitralozit të lehtë, i cili e zbrazi karikatorin prej 72 fishkësh, në katër këndet e dhomës ku mbrohej Xhevdet Mustafa. Që në breshërinë e parë, Xhevdet Mustafa kishte marrë 9 plumba në trup dhe kishte vdekur menjëherë. Por katër ushtarët që zbritën nga diagaçi, e kanë qëlluar dhe shumë herë me qytë të “Kallashnikovit” në kokë, për t’u bindur për vdekjen e tij. Menjëherë ai u dërgua në Spitalin e Burgut në Tiranë, ku u bënë dhe fotot e ekspertizës, të cilat u dërguan dhe në zyrën e Komandantit (Enver Hoxhës). Trupi i tij, u mbajt i mbyllur në morgun e Tiranës, deri në vitin 1985. Mbas vitit 1985, nuk dihet se çfarë u bë me të.

Informacioni i parë se në Shqipëri do të mbërrite një bandë e rrezikshme, u njoftua më datën 11 prill 1982, nga ana e oficerit të Sigurimit, Halit Bajrami, i cili kishte shërbyer si zëvendësshef i Sigurimit të Korpusit të Korçës, deri sa u arratis nga Shqipëria në vitin 1951. Familja e tij, bëri një varrim simulant, në një arkivol bosh, sikur djali i tyre, ishte vrarë në kufi. (Kjo ishte një praktikë e përdorur me shumë kujdes nga Sigurimi i Shtetit.) Haliti kishte banuar disa kohë në Shkozet të Durrësit./ Memorie.al

enver hoxha deshmi