Pas marshimit në rrugët e kryeqytetit, qytetarët janë rikthyer sërish përpara godinës së Kryeministrisë, duke i dhënë fund tubimit të radhës kundër qeverisë dhe klasës politike.
Protestuesit, të cilët për rreth 42 ditë radhazi kanë zhvilluar protesta, u kthyen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” pas ecjes në rrugët e Tiranës, ku gjatë gjithë marshimit nuk munguan thirrjet kundër qeverisë dhe slogane të tilla si “Rama në burg, Berisha në burg”, “Shqipëri e re” dhe “Revolucion”.
Me rikthimin para Kryeministrisë, organizatorët kanë mbyllur tubimin e kësaj mbrëmjeje, ndërsa kanë bërë të ditur se protesta do të vijojë edhe në ditët në vijim.
Protesta nisi si kundërshtim ndaj projektit turistik në Zvërnec, por gjatë javëve të fundit është shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë dhe sistemit politik në vend. Organizatorët kanë deklaruar se do të vijojnë mobilizimin deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
Lini një Përgjigje