
Zgjedhjet përfunduan, por Sali Berisha dhe PD po pretendojnë vjedhjen e votave më 11 maj. Për juristin Romeo Kara, kreu i selisë blu është i pandryshueshëm dhe do e mbajë peng partinë deri në fund, me njerëz si Flamur Noka dhe Albana Vokshi, për të cilët tha me ironi se “e meritojnë të jenë pasardhësit e Berishës”.
I ftuar në emisionin ‘Studio Live’ ditën e sotme, ai u shpreh për Report Tv se “vjedhjet e vetme që u bënë në zgjedhje, ishin ato të Primareve të PD-së”. Kurse për partitë e reja, nënvizoi se ishin eksperiment i dështuar, ku të 4 liderët duhet të ndjekin nga pas Shehin.
Në lidhje me kontratat e fshehta të Berishës për lobim, ai tha se janë 4 të tilla dhe jo dy, që do zbardhen më tej. Kara thotë se kreu i PD-së ‘as dëgjon dhe as shikon nga një vesh dhe jë sy’ që të veprojë si Dashamir Shehi me dorëheqje nga partia.
“Nuk mendoj se Sali Berisha sheh nga një sy dhe dëgjon nga një vesh për të marrë këshilla, e për më tepër nga Dashamir Shehi që u dorëhoq sot. Po të shohësh Berishën dhe kontratën me LaCivita dhe kompaninë amerikane, kontratë me dy vite, ka qenë e parapërgatitur, e ka ditur dhe se do godiste pikërisht rezultatin e zgjedhjeve. Për mendimin tim ky është produkt zgjedhor PS-PD sepse bashkë i kaluan, edhe numërues e komisionerë i kanë bashkë. Kurse Berisha kur pa humbjen doli dhe tha se nuk i pranon, edhe pse humbi në zona demokrate deri në Kukës apo Has. Nuk vidhen kollaj kaq shumë vota. Dy partitë kanë bërë një mur të madh. Ky që qahet se i vodhën zgjedhjet dhe ai tjetri që merret me bufin e kënetës, e deri te ai tjetri që është në burg, për kaq vite dhe që e kanë kapur sistemin”, u shpreh juristi për Report Tv.
Për të qytetarët zgjodhën të votonin të keqen më të vogël dhe të mos bënin hapa pas, duke u kthyer te Berisha dhe shpura e besnikëve të tij.
“Ndaj njerëzit kanë zgjedhur të votojnë të keqen më të vogël, sesa të kthehen te Berisha non grata, me probleme penale, i padëshiruar familjarisht e që duhet të ishte në burg, apo të dalësh krah për krah me njerëz që nuk kanë etikë qytetare si Flamur Noka dhe Albana Vokshi, t’i kërcënosh shqiptarët, t’u kërcasësh dhembët dhe ti i merr për të denjë këta njerëz, e dhe të fitosh zgjedhjet me ta. Ose një gjykatës i larguar nga vettingu, Gjin Gjoni, ish-prokurorin milioner me prona, që i futi në lista, e shqiptarët zgjodhën të mos bënin asnjë hap pas. Ose ke në krahun tjetër këta që i bëjnë presion SPAK si ministri i Drejtësisë. Këta po tentojnë zhbërjen e asaj shprese të vogël të shqiptarëve, te reforma në drejtësi. Alternativa ka qenë, “më mirë rrimë këtu, sesa të bëjmë një hap pas”, vijoi ai.
Lini një Përgjigje