Juristi Kreshnik Spahiu deklaron se prokuroria shqiptare duhet të nisë një hetim lidhur me dosjen Epstein, pas të dhënave që tregojnë se ai ka vizituar Shqipërinë të paktën dy herë.
Sipas Spahiut, ekzistojnë prova se Jeffrey Epstein ka qenë në Shqipëri në maj të vitit 2012 dhe se avioni i tij është shfaqur sërish në vitin 2018. Ai theksoi se një hetim nga autoritetet shqiptare do të ishte i nevojshëm edhe në respekt të proceseve hetimore që po zhvillohen në Shtetet e Bashkuara dhe në disa vende europiane.
Spahiu argumentoi se vëmendja nuk duhet të përqendrohet te numri i grave shqiptare që mund të kenë punuar për Epstein, por te mundësia që rrjeti i tij të jetë përdorur për të ndikuar politikisht. Sipas tij, eksportimi i prostitucionit nuk është një fenomen i ri për Shqipërinë, pasi në dekadat e fundit janë përfshirë mijëra gra në tregun e seksit në Europë.
Ai shtoi se edhe hetimet në vende të tjera europiane synojnë të zbulojnë nëse ky aktivitet kriminal ka shërbyer për shantazh ose për shitje të interesave kombëtare. Në këtë kontekst, Spahiu ngriti dyshime për një formë prostitucioni diplomatik që mund të ketë cenuar interesat e Shqipërisë për shkak të veprimeve të politikanëve vendas.
“Do kisha dashur që Prokuroria në Shqipëri të kishte nisur një hetim edhe në respekt të hetimit që po zhvillohet në SHBA dhe disa vende europiane, në lidhje me vizitat e Epstein në Shqipëri. Është e provuar që ka qenë në maj 2012, por avioni i tij është shfaqur në Shqipëri edhe në vitin 2018, avioni Lolita. Fokusi i hetimit nuk duhet të jetë vetëm eksportimi i prostitucionit shqiptar drejt SHBA-së apo diçka e tillë, sepse ne kemi eksportuar tradicionalisht në 3 dekadat e fundit me mijëra punëtore seksi në rrugët e Europës dhe shtëpitë publike të Europës.
Çështja është që edhe fokusi i britanikëve, francëzëve, etj, është nëse ky krim ndërkombëtar, ky prostitucion diplomatik është përdorur në kundërshtim me interesat kombëtare të vendit, që do të thotë a kemi shitje të interesave kombëtare shqiptare për shkak të perversitetit të politikanëve shqiptarë apo jo. Çështjet e prostitucionit diplomatik tashmë janë shekullore. Pra kjo na intereson ne, nuk na intereson sesa vajza donin të shkonin në punë te Epstein, sepse sikur ta dinin emailin e tij, kushedi sa vajza do e kishin kontaktuar”, tha Spahiu për Report TV.
Lini një Përgjigje