TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet12 Dhjetor 2025, 15:41

“Dosja ‘Veliaj’, s’ka prova mjaftueshëm”, avokati Gjermeni: Nuk mund të kalojë për gjykim

Shkruar nga Pamfleti
“Dosja ‘Veliaj’, s’ka prova mjaftueshëm”,
Avokati Artan Gjermeni

Avokati Artan Gjermeni shprehet se dosja e SPAK ndaj Kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nuk ka prova të mjaftueshme dhe në këto kushte nuk mund të kalojë për gjykim në GJKKO, sikundër pretendon Prokuroria Speciale.

SPAK ka ngritur disa akuza ndaj kryebashkiakut të Tiranës, ndërsa ka kaluar dosjen për gjykim në GJKKO, ku prej disa seancash zhvillohen seancat paraprake. Mes SPAK dhe mbrojtësve ligjorë të Kryebashkiakut ka pasur disa herë replika në distancë lidhur me atë nëse Veliajt i janë dhënë ose jo aktet e dosjes për t’u njohur me to.

Gjermeni, i cili dha dorëheqjen si avokat i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, pas rrëzimit të kërkesës nga gjykata që klienti i tij, Erion Veliaj të njihej me aktet e dosjes, tha për Neës24 se mungon lidhja shkakësore.

Kam marrë një perceptim të plotë për nivelin e provave. A ka mjaftueshmëri provash për të mbështetur akuzën për dërgimin e çështjes në gjykim? Për mua nuk ka. Duhet të ketë një lidhje shkakësore midis veprimit të caktuar, të firmosjes së një fature rutinë dhe të një pasoje përkatëse. Pra, mungon lidhja shkakësore.

Kaq mund të flas sot edhe për atë premtim që i kemi dhënë SPAK që nuk do të nxjerrim asnjë informacion të detajuar”, u shpreh Gjermeni.

Duke sqaruar vendimin e tij për të dhënë dorëheqjen nga mbrojtja e Kryebashkiakut, Gjermeni u shpreh se “dhashë dorëheqjen në këtë fazë të procesit edhe si një reagim ndaj mospranimit të një kërkese elementare të ligjshme, që kryebashkiaku të njihet me aktet e dosjes”.

Kur kjo kërkesë u refuzua, unë bëra këtë lloj reagimi. Qëndrova në sallë deri në fund të gjyqit, edhe në 5 janar do të jem sërish në gjykim, derisa avokatja tjetër që është caktuar kryesisht, të jetë e mundur për artikulimin që do të bëjë për Veliajn. Në momentin që ajo artikulon dhe mbulon, në atë moment pushojnë funksionet e mia.

Më tej do të konsultohem me atë nëse do të vazhdojmë bashkëpunimin apo jo. Elementarja në seancën paraprake është garantimi i të drejtave procedurale për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ligji e parashikon që çështja mund të pushohet në themel për mungesë provash, por një vendim i Gjykatës së Lartë i para 2 viteve doli mbi ligjin dhe thotë se në seancë paraprake nuk mund të bëhet pushimi i çështjes pa u analizuar provat.

Po të ketë ndonjë monitorim në të gjithë Republikën, a ka ndonjë çështje të pushuar në seancë paraprake nga gjyqtarët si filtër i hetimit? Zero. Nuk ka.

Ose duhet të vdesë i pandehuri ose duhet të dalë një amnisti. Ligji nuk zbatohet më që të pushohet çështja në seancë paraprake. Gjykata e Lartë e zgjidhi në mënyrë për mua haptazi të padrejtë dhe ja pasojat në të gjithë sistemin. Seanca paraprake kur u vu kishte një qëllim, filtrin e hetimit. Ky filtër mungon tashmë, s’ka më, e bëri Gjykata e Lartë, për mua gabuan rëndë”, tha avokati Gjermeni.

 

Lini një Përgjigje