TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet12 Dhjetor 2025, 13:23

Dr. Mentor Petrela: Mos kini frikë nga AI, do të shpëtojë jetë në mjekësi

Shkruar nga Pamfleti
Dr. Mentor Petrela: Mos kini frikë nga AI, do të shpëtojë
Prof. Dr. Mentor Petrela

Neurokirurgu i njohur Prof. Dr. Mentor Petrela thotë se ne nuk duhet të kemi frikë nga përdorimi i Inteligjencës Artificiale, sepse ajo është ka krijuar njeriu.

Në trajnimin “IA Shkakësore – Një framework i ri për marrjen e vendimeve në mjekësinë e personalizuar”, duke iu drejtuar të pranishmëve, Prof. Petrela theksoi se inteligjenca artificiale nuk duhet parë si kërcënim, por si një mundësi historike për të përmirësuar cilësinë e mjekësisë.

“Sa i përket inteligjencës artificiale, unë nuk jam aspak dakord me idenë se duhet të kemi frikë prej saj, vetëm sepse është krijuar nga njeriu. Njeriu nuk duhet të frikësohet nga një teknologji që vetë ka ndërtuar. Problemi është se sot ajo perceptohet si një enigmë: njerëzit janë të painformuar, e njohin vetëm si term dhe e përdorin si kërcënim, duke thënë se është e frikshme, se do të na dëmtojë… Në fakt, nuk do të na dëmtojë asgjë. Inteligjenca artificiale do të na ndihmojë të jemi më të saktë, më efikasë dhe më të përgatitur.”, tha ai.

Ai vuri theksin te mungesa e standardizimit në praktikën klinike, një problem që prek drejtpërdrejt pacientët, sidomos në fushat kritike si diagnostikimi i aneurizmave intrakraniale.

Prof. Petrela nënvizoi rëndësinë e zhvillimit të sistemeve inteligjente në gjuhën shqipe, si një hap vendimtar drejt barazisë informative dhe klinike.

"Qëllimi përfundimtar është pacienti. Futja e inteligjencës artificiale  për shembull, krijimi i një sistemi në shqip si ChatGPT  do të shërbejë për standardizimin e sjelljes klinike, që sot shpesh është e paunifikuar dhe kontradiktore. Aktualisht, ndodh që një pacient me aneurizëm të diagnostikohet gabimisht, të trajtohet me metoda të papërshtatshme, madje të rrezikohet jeta për shkak të mungesës së protokolleve të qarta dhe informacionit të saktë. Të gjithë jemi të ekspozuar, sepse pavarësisht profesionit, të gjithë jemi njerëz dhe mund të përballemi me situata të vështira.

Inteligjenca artificiale do të na mundësojë të kemi një “gjuhë të përbashkët” në trajtimin e pacientit. Informacioni i strukturuar, qoftë në onkologji, qoftë në radiologji, do të jetë një ndihmë e madhe. Sidomos në radiologji, ku imazheria mund të analizohet automatikisht dhe s’do të jetë e nevojshme të kërkojmë dy apo tre interpretime të ndryshme: një që nuk e di fare, një që e di përgjysmë, dhe një që e di treçerek. Sistemi do të thotë qartë: ‘kjo është një metastazë në rritje’ dhe do të sugjerojë trajtimin përkatës.

Nëse inteligjenca artificiale integrohet si duhet, veçanërisht nga gjenerata e re, ajo do të ngrejë nivelin e mjekësisë. E rëndësishme është që teknologjia të flasë shqip, jo vetëm anglisht. Kjo do të sjellë një përparim të madh.” ,tha ai.

Trajnimi vijoi me sesione të shumta mbi aplikimet shkencore të IA në shëndetësi: analiza të imazherisë mjekësore, parashikimi i rrezikut të aneurizmave (i prezantuar nga Dr. Olti Qirici), mbështetja e pacientëve alergjikë përmes algoritmeve të të mësuarit, biomarkerë kardiovaskularë, sistemet telemjekësore dhe binjakët dixhitalë multimodalë.

Ngjarja u cilësua si një hap i rëndësishëm drejt qasjes së re shkencore në mjekësinë e personalizuar, ku vizioni i Prof. Dr. Mentor Petrelës për integrimin e inteligjencës artificiale ishte në qendër të debatit profesional.

mos kini frikë nga inteligjencës artificiale dr. mentor petrela

Lini një Përgjigje